• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Në përkujtim të 115 vjetorit të vdekjes së Papa Kristo Negovanit, pse harron KOASH?

pirro20

Super Anëtar
Anëtar
Sep 1, 2011
Postime
118
Pikët
28
Në përkujtim të 115 vjetorit të vdekjes së Papa Kristo Negovanit, pse harron KOASH?


Papa Kristo Negovani

Papa Kristo Negovani
Nga: Pirro Prifti, Revista Drini12 Shkurt 2020
Përse harron KOASH?
Papa Kristo Harallambi, që njihet më shumë si Papa Kristo Negovani (1875 – 12 shkurt 1905) ka qenë prift ortodoks shqiptar dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare në kapërcyell të shekujve XIX-XX.
Lindi ne Negovan afër Follorinës në kohën e Perandorisë Osmane, një fshat që, bashkë me Bellkamenin fqinjë, kishte qenë banuar në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë nga shqiptarë të Plikatit të krahinës së Kolonjës.

Shkollën e bëri në Athinë, ku e dërgoi i ati Harallamb Çali, që ishte tregtar. Shkrimtar dhe klerik patriot. Luftoi kundër synimeve shkombëtarizuese të kishës e të qarqeve shoviniste të borgjezisë greke.
Propagandoi idenë e bashkimit të forcave patriotike në luftën kundër lakmive të shteteve shoviniste fqinje. Vdiq i masakruar barbarisht nga andartët grekë.
Vdekja e të atit, të cilin e vranë banditët më 1891, e shtrëngoi Kristo Negovanin të braktisë studimet e të punojë si mësues në një shkollë fillore greke në Leskovik për të mbajtur familjen. Më 1894 emigroi në Braila të Rumanisë, ku punoi tre vjet si marangoz. Po këtu ra në kontakt me lëvizjen kombëtare dhe mësoi të shkruajë shqip (me alfabetin e Stambollit). Më 1897 u kthye në fshatin e lindjes, u shugurua prift dhe vazhdoi punën si mësues. Shtëpinë e vet, Negovani e ktheu në shkollë dhe u mësoi shkrim e këndim shqip mbi njëqind fëmijëve e të rriturve. Ai edhe meshën e mbante shqip, gjë që nuk i pëlqeu aspak hierarkisë ortodokse greke.
Shën Papa Kristo Negovani

Më 10 shkurt 1905, Negovani mbajti një shërbesë kishtare shqip në prani të Karavangjelisit, peshkop i Kosturit, i cili duke dalë nga kisha, flitet se tha ato fjalë fatale, “Mos të gjettë viti tjetër ndër të gjallët”. Pas dy ditësh, të shtunën, 12 shkurt 1905, fshati u rrethua nga banditë, që e detyruan tridhjetëvjeçarin Negovani të vetëdijshëm për fundin që e priste, të dilte jashtë shtëpisë në mes të natës për ta masakruar, pastaj me sëpatë bashkë me pesë të tjerë, ndër ta edhe i vëllai. Për të marrë hak për këtë akt që hierarkia ortodokse greke ua veshi shqiptarëve, komiti shqiptar Bajo Topulli (1868-1930) i zuri pritë dhe vrau Fotin, peshkopin e Korçës, në shtator 1906.
Tituj të veprave
Papa Kristo Negovani është autor proze e poezie, si dhe tekstesh shkollore, përkthimesh e përrallash. Veprat e tij u botuan në revista të kohës, sidomos në Kalendari kombiar. Ndër botimet e tij janë:
Istori e dhiatësë vietërë, Bukuresht 1899;
Vjershë shkresëtoreja, Sofje 1899; vjersha Prisheja e Hormovësë, Sofje 1903; një përmbledhje vjershash me 78 faqe ;
Bënjatë të shënjtorëvet dërgimëtarë, Sofje 1906 (Bëma të apostujve shenjtorë); – libri me 122 faqe dhe
një tjetër me 16 faqe Istorishkronja e Plikatit, Selanik 1909, botuar pas vdekjes;
Përshtatjet e fabulave të Ezopit dhe të La Fontenit dhe poezia e tij didaktike me frymë patriotike e edukative u drejtoheshin kryesisht fëmijëve. Ato paraqesin kryesisht interes historik dhe mund të themi se nuk dallohen për ndonjë vlerë artistike të veçantë;
Vjershëshkresëtoreja (1899 – vargje);
I drunjti kryq (1906 – vargje vepra në dy pjesë) – Sofje 1906;
Prishja e Hormovës (1904 – vjershë lirike);
I vogëli Donat Argjendi (1908 – novelë për fëmijë) – Sofje 1904.
Referimet
Robert Elsie : Histori e Letërsisë Shqiptare. Botim i dytë. Përktheu nga anglishtja : Abdyrrahim Myftia. Pejë : Dukagjini 2001, Fq. 211 – 212.
https://en.m.wikipedia.org/wiki/Kristo_Negovani
 

murik

peace and love
Anëtar
Jul 28, 2015
Postime
3,900
Pikët
113
Vendndodhja
philadelphia
Brezat e ardhshem do te turperohen me menyren se si ne sot i trajtojme martiret e vertete te gjuhes dhe fese dhe rendim pas qerreve partiake e pas parase.
 

Kontinenti

V.I.P
Anëtar
Oct 14, 2012
Postime
1,765
Pikët
113
NDERIMI I MARTIRËVE TË KISHËS ORTODOKSE PAPA KRISTO NEGOVANI
(MASAKRA E NEGOVANIT)
NGA: ALBERT KOTINI
Ishte koha kur lëvizja jonë kombëtare po zgjerohej me hov për t’u kthyer së shpejti nga një lëvizje kulturore-patriotike, në një lëvizje të armatosur, jo vetëm kundër pushtuesit turk, por edhe kundër forcave të tërbuara shoviniste që iu ishin vërsulur zonave shqiptare.
Komiteti i fshehtë i Manastirit, ku bënte pjesë edhe Papa Kristo, me të drejtë, rrezikun më të madh e shikonte tek shovinizmi grek, veç forcës shtetërore dhe bashibuzuke, ai kish kohë që përdorte propagandën ç’kombëtarizuese me anë të kishës dhe të shkollës në gjuhën greke, për helenizimin e ortodoksëve të Ballkanit.
Negovani dhe Ballkameni, dy fshatra shqiptarë pranë Follorinës, në pikën e ndeshjes më të rreptë midis forcave bullgare dhe greke, duhej të ishin viktimat e para të këtij rrebeshi. Po pikërisht këtu e kishte ngritur Papa Kristo kështjellën e patriotizmit shqiptar. Kishën e kishte kthyer shqip, shtëpinë e vet e kishte bërë shkollë shqipe me 100 nxënës që i mësonte vetë.
Për t’i vënë themele patriotike këtyre institucioneve, që mos i shërbenin armikut, kishte botuar 9 vepra shkollore dhe kishtare në gjuhën shqipe, dhe ishte ngritur me Ungjill në dorë si publicist dhe predikues në kishë, për t’u treguar ortodoksëve shqiptarë se feja dhe gjuha e tyre nuk është e lidhur vetëm me gjuhën dhe kombësinë greke, se: “Zoti, Perëndia, nuk e ndalon asnjë komb që të këndojë në gjuhën e tij”.
Të dilje kaq i vendosur para shovinizmit të tërbuar grek, me flamurin e patriotizmit shqiptar në dorë, si Papa Kristo, ishte njësoj sikur të hidheshe në grykën e mitralozit të armikut.
Më të mirë e më të keq, shovinistet laikë e fetarë ishin munduar mjaft ta sillnin në rrugën e tyre këtë prift “rebel”. Vetë kryekomandanti i operacioneve andarte në Maqedoni, Pavllo Mellaj, kishte ardhur në Negovan, e kishte takuar Papa Kriston, por prifti vazhdonte punën e tij.
Kisha e Negovanit u kthye shpesh në një vend përleshjeje midis patriotëve shqiptarë dhe grekomanëve.
Me 10 shkurt 1905, ditën e Shën Harallambit, erdhi vetë në Negovan kryeagjenti i Patriarkanës, dhespoti i Kosturit, Karavangjeli, por, Papa Kristo, si zakonisht e tha meshën shqip edhe para dhespotit!
I egërsuar nga ajo që i panë sytë, “njeriu i zotit” doli nga kisha duke mallkuar priftin dhe, para se të largohej nga Negovani, urdhëroi fshehur çetën andarte të Jan Bullatës, që brenda 24 orëve, të vrisnin 25 vetë!
Është për t’u admiruar qëndrimi vetëmohues i këtij patrioti edhe në këto çaste të fundit, kur po e shihte se rreziku i rrinte mbi krye, dy ditë para se të masakrohej, i shkruante një mikut të vet në Rumani se:

“Tri herë më kanë gjykuar dhe orë e çast më kërcënojnë për shkakun e Shqipërisë”.
Po kujdesi i tij më i madh, edhe në këto çaste ishte gjithnjë forcimi i lëvizjes sonë kombëtare, përhapja e arsimit shqiptar. “Zoti më mbroftë, - vazhdon letra, - se nuk di ku të shkonj e ku të vete.
Nga dimri i madh dhe nga trazirat, nuk kam pasur qetësi, që të punonj pa gjëzë. Të shkonj nde ndonjë anë nuk mund të rronj, pa jam në një mejtim fort të madh. Këtu të gjithë sa janë nd’atë punë me shovinistët grekë. (Shënim i Dh.F.) u bënë fort të liq, hanë mish qeni.
Merrini këto vjersha, ngutem të dërgonj sa kam të shkruara, se mos mbeten, nde qoftë se ndërrojmë jetënë pas mënyrës që u thash. Kam edhe shumë të shkruara, po nuku e di a janë të shtypura, meqenëse “kombiaret” 1902-1903 nuk i kamë marrë.
Nde qofsha e nde mundça, e që do të ua dërgonj të gjitha, që të mos mbetet gjë këtu.”

Pa u tharë boja e kësaj letre, natën e 12 shkurtit Papa Kriston me të vëllanë dhe katër patriotë të tjerë i vranë egërsisht andartët, të tjerët, që ishin shënuar në listën e Karavangjelit u fshehën dhe shpëtuan.
Lidhur me këtë ngjarje gazeta “Drita” e Sofjes me 4 mars 1905 jepte këtë korrespodencë nga Voden: “Më 12 të këtij, të shtunën mbrëma, u rrethua fshati me 40 gjakatarë, të cilët të parën herë muarnë Sotirin dhe e dërguanë te ftojë P.K. Harallambin të dilte, se deshnë ta shohën. Vate Sotiri dhe e ftoi priftin, i cili dhe i poqi “miqtë” që deshnë ta shohin. (Kjo punë u nis në tre sahati të natës). Si e mbajtën Papa Kriston këtu, dërguanë Sotirin të ftojë dhe të vëllanë P. Theodhosin. Me të larguar Sotiri, i ranë të mjerit prift me sopatë dhe e bënë copëcopë. Nga koka e tij gjetën vetëm dy nofullat se tjetrën pjesë e kishin ngrënë qentë. Këtë e bënë anës fshatit nga udha e Follorinës. Pas pak kohë ja ku vjen Sotiri me P. Theodhosirin. Si mbajtën këtu P. Theodhosin prapë dërguan Sotirin të ftojë Gjergj Thomainin.
Me të larguar Sotiri i vanë P. Theodhosit dhe e coptuan (kështu gjashtë veta me radhë).
Ky kasapllëk u mbarua në shtatë të natës. Fshati i tërë u ndrodh nga tmerri!”

Ngjarja e Negovanit mbushi shtypin shqiptar dhe tingëlloi si kushtrim në atë kohë kur po ngriheshin çetat e para shqiptare. Të gjithë poetët tanë të kohës e vajtuan me dhimbje humbjen e Papa Kristos.

Ka mbetur e famshme elegjia e Loni Logorit kushtuar këtij patrioti të flaktë:

Papa Kriston e vranë
Dhe s’ra për të një kambanë
Dhe malet e Shqipërisë,
Dhe shpellat e malësisë
Thërrasin an‘ e mbanë:
Papa Kriston e vranë...!
Merrni gjak, thirri ylli atje pranë
Dhe malet buçitnë:
Merrni gjak, thanë...!

Çeta 14 vetësh e organizuar dhe e ngritur nga Komiteti i Manastirit fill pas ngjarjes se Negovanit, inauguroi luftën e saj me një plumb, Fotit, dhespotit shovinist të Korçës, për të marrë gjakun e këtij heroi, sepse “Gjaku i Papa Kristos, - siç tha vetë Bajo Topulli, - duhej të merrej për nder e fitim të të gjithë kombit”. Shpirti patriotik i këtyre dy fshatrave, që u ngrit kaq lart me punën vetëmohuese të këtij dëshmori, krijoi një traditë të shkëlqyer, se luftën e tij si mësues dhe edukator e vazhdoi aty një tjetër mësues i hershëm, Petro Nini Luarasi dhe në Ballkamen krisi pushka e Spiro Ballkamenit, që la nam në çetat tona të para.” (DH. F. autori).
Kështu, Papa Kristo Negovani, që punonte për përhapjen e arsimit dhe liturgjisë fetare në gjuhën shqipe, u vra në mënyrë barbare së bashku me gjashtë të tjerë nga anëtarët e vënë nga dhespot Foti që mallkonte shkronjat dhe shkollën shqipe.
 

Attachments

Last edited:
Top