• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Aziz Nesin (prozë humoristike)

Askushi

Anëtar i ri
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
2,157
Pikët
0
Vendndodhja
Neverland
Aziz Nesin


Aziz Nesin u lind më 1915 në Stamboll, ku ndoqi shkollën e lartë ushtarake. Punoi si gazetar në Turqi në vitet ’40. Filloi krijimtarinë letrare me novela dhe proza satiriken në vitet ’50. Shpejt u bë i njohur për stilin e tij satirik. Themeloi në vitin 1958, revistën humoristike: “Karikatur”. Që atëherë, ky autor pjellor ka shkruar dhjetëra histori të shkurtra, novela dhe vëllime me poezi, kujtime dhe shënime udhëtimi. Në fund të viteve ‘80, ishte kryetar i Sindikatës Turke të Shkrimtarëve. Nesin ishte dramaturg novator dhe eksperimentoi me teatrin absurd në vitet ’50.



ÇFARË NDRYSHIMI!​




Përktheu Arbër Zaimi




Një mëngjes në një qytet anglez policët gjetën një burrë të lidhur me litarë pas një shtylle elektrike, në njërin prej parqeve. Do t'jua rrëfej më vonë se kush qe ky burrë. Për momentin dua që të supozojmë se ky incident ka ndodhur në atdheun tonë. Ja se cilat do të ishin fjalët që do të dëgjoheshin në vendngjarje:
- Roja: "Kush je?"
(Nuk merr përgjigje edhe pse e përsërit disa herë pyetjen. Fillon t'i fryjë bilbilit dhe sa hap e mbyll sytë vjen policia.)
- Polici: "Si është puna?"
- Roja: "Zoti polic, një burrë është lidhur te ajo shtylla elektrike atje"
- Polici: "Kush e ka lidhur?"
- Roja: "Nuk e di zotëri, a mund ta zgjidh?"
- Polici: "Jo, jo! Mbase duhet të vijë inspektori që ta hetojë personalisht çështjen: Shko e shih njëherë a është gjallë a vdekur."
- Roja: "Sapo e pashë që lëvizi sytë o zoti polic"
- Polici: (i bërtet viktimës): "Kush je ti o zotni?"
(Përgjigje s'ka, kështu që njoftohet menjëherë Shefi i Zonës [S.Z])
- S.Z.: "Silleni menjëherë në komisariat. Dhe merrni vesh me doemos se si quhet. Ruajeni me kujdes, e mos ia ndani sytë. Mos e lini t'ia mbathë."
Le ta lëmë vendin tonë e të kthehemi dhe një herë në Angli e të shohim se ç'i ngjan burrit të lidhur pas shtylle. Dy policë e zgjidhin menjëherë dhe e pyesin gjithë mirësjellje:
- "A mund të na thoni si quheni zotëri?"
- "Jam Arnold Braun"
Të dy policët përkulen me nderim. Emri iu tingëllon i dëgjuar. Njëri prej tyre pyet:
- "Zotëri, mos jeni vallë Zoti Arnold Braun, skulptori i famshëm?"
- "Ai jam."
- Polici i dytë pyet: "Mos jeni po ai Zoti Arnold Braun që është anëtar i Shoqërisë Mbretërore të Skulptorëve?"
- Z. Braun: "Pikërisht ashtu."
- Polici i parë: "Zotëri, a do ta merrnit mundimin të vini me ne deri në stacion të policisë, apo do të dëshironit t'ju çonim në rezidencën tuaj?"
- Z. Braun: "Po ju shoqëroj."
Le të shkojmë dhe një herë tek ngjarja që supozuam, në atdheun tonë. Dy policat me ndihmën e rojes e lirojnë burrin nga litarët.
- Njëri prej policave gjëmon: "Ec tani, duhet të vish në komisariat me ne."
I udhëhequr prej dy policave dhe rojes viktima mbërrin në komisariat. Ne s'kemi ndonjë Akademi Mbretërore këtu, as skulptorë të famshëm s'kemi. Po le të supozojmë që burri i ngjarjes quhet Zoti Hiqmet, dhe është skulptor i famshëm i vendit tonë. Pa mbërritur mirë Zoti Hiqmet në komisariat, S.Z. i drejtohet me këto fjalë:
- "Si quhesh zotni?"
Hiqmeti i shkretë, i trembur, përpiqet të marrë veten e të gjejë kurajo të përgjigjet, por S.Z. ulërin:
- "Pse s'flet more, pse s'tregon? Ore zotni me ty po flas. Si e ke emrin?"
- "Hiqmet më quajnë zotëri."
- "Me çfarë merresh?"
- "Jam skulptor."
- "E kam llafin si punë, çfarë pune bën?"
- "Bëj statuja."
- "Statuja? E çfarë na qenkan këto statuja?"
- "Statuja njerëzish, statuja kafshësh. Mund të bëj çdo lloj statuje."
Lexues, tashmë ti ndoshta je lodhur pakëz, po unë do të të kërkoja edhe një herë të vije pas meje, ndërkohë që kthehemi në Angli, sepse atje ka ndodhur incidenti i vërtetë, mos harro. Se çështjen në vendin tonë ti tashmë e di që unë e krijova thjesht për të bërë një krahasim imagjinar. Kemi ardhur pikërisht në momentin kur S.Z. britanik po merr në pyetje Zotin Braun:
- "Zotëri, kush ju lidhi në shtyllë? Mos qe vallë ndonjë hajdut a ndonjë kriminel?"
- "Jo."
- "Mos guxoi vallë ndonjë hasëm cipëplasur të tregohej kaq i paedukatë me ju?"
- "Jo zotëri. Faktikisht ishte gruaja ime që më lidhi atje në shtyllë."
- "Më falni zotëri, seriozisht e keni, këtë e ka bërë zonja Braun?"
- "Po pra."
- "E habitshme. Fundi fundit, përse një zonjë kaq e nderuar duhet të..."
- "S'ka asgjë të çuditshme këtu. Ia kërkova vetë time shoqeje që të më lidhte në shtyllë e më pas të shkonte në shtëpi."
- "Dakord, Zoti Braun, po pse vallë?"
Përpara se të dëgjojmë dhe përgjigjen e Zotit Braun, kthehemi në mëmëdhe, që të këqyrim se si po e zhbiron zotin Hiqmet Shefi i Zonës sonë.
- "Po mirë, ti u marrke me statuja, si ka mundësi që ne të gjetëm të lidhur në park? Mos re pre e ndonjë cubnie?"
- "Jo zotëri."
- "Epo atëherë ndonjë hajn ka qenë, që ka dashur të të zbrazë xhepat."
- "S'jam ndonjë pasanik. Askush s'do të më binte në qafë për lekë."
- "Ka gjasë që ndonjë armik i juaji të jetë hakmarrë për ndonjë hesap të vjetër?"
- "Zotëri, jam qytetar tepër i thjeshtë e i përulur. Nuk kam armiq."
- "Epo na trego pra kush të lidhi me litar tek shtylla e korrentit dhe pse?"
- "Më lidhi ime shoqe, zotëri."
- "Qysh ore? Pa përsërite! Gruaja jote? Po ajo paska qenë bushtër grua. Po ky qenka kulmi. Eh sa gra mizore paska kjo dynja. Po mirë, nëqoftëse të paska lidhur gruaja në shtyllë, patjetër që do e ketë ndihmuar edhe ndonjë dashnor, se do e kenë patur si plan të dy që të të shmangin përgjithmonë nga jeta e tyre."
- "Aspak, ime shoqe ishte krejt e vetme."
- "Hajde hajde! Çfarë burri i thënke vetes more zotëri. Si ore të lidhka një grua e vetme e të bëka zap pas shtylle? Po mirë, bërtite, kërkove ndihmë?"
- "Jo zotëri, ndenja i heshtur."
- "Ptu more, zemërpulë!"
- "Zotëri, ia kërkova vetë sime shoqeje të më lidhte atje në shtyllë."
Kaq mjaftoi që ta shndërronte një seancë serioze hetimi në gallatë të harbuar nga ana e policëve. Mëngjesin e së nesërmes në shtypin lokal, sipas një relacioni të policisë u botua historia që vijon:
"Fajet e një gruaje mizore.
Dje mbrëma një ndodhi e çuditshme ngjau në qytetin tonë. Një bashkëshorte terroriste lidhi pas shtyllës elektrike të shoqin, duke përdorur çarçafët. Burri zemërpulë qe aq i trembur sa nuk arriti as të kërkonte ndihmë. (Për më tepër shihni historinë e detajuar në fq.3). Në fotografinë më sipër paraqitet burri zemërpulë dhe e shoqja terroriste, në kohët kur sapo ishin martuar dhe ishin ende të lumtur sëbashku."
Le të shkojmë sërish në Angli, ku e lamë qëparë Zotin Braun teksa i shpjegonte Shefit të Zonës se përse i kish kërkuar të shoqes të lidhte pas shtyllës.
- "Siç e dini, zotëri, unë jam artist. Jam tepër i ndjeshëm si natyrë. Sytë e mi nuk pajtohen dot me asgjë të ndotur, joartistike apo të pështirë. Dhe për më tepër, ndihem kokë e këmbë i acaruar kur gjëra të shpifura dhe aspak artistike ndodhin në qytetin ku jetoj. Si artist një nga detyrat e mia kryesore është të bëj të kuptojnë bashkëqytetarët dhe patriotët e mi se një ambient i bukur e i këndshëm është tepër i domosdoshëm për ne. Po fatkeqësisht bashkia e qytetit tonë, me kryetar e me administratë, nuk ka asnjë pikë sensi estetik. Kështu që i gjithë qyteti ynë na është mbushur me këto shtyllat elektrike me formë gërricëse dhe me një pamje të tmerrshme. Këto shtylla nuk shkojnë as me ndërtesat e vjetra as me monumentet historikë, dhe nuk përshtaten mirë me bulevardet e rrugët. Por, mbi të gjitha, këto nuk e përmbushin shijen e banorëve të kahershëm të këtij qyteti, si puna ime. Shumë ndryshe nga këto, shtyllat e vjetra, ato të drunjtat po që i vinin për shtat panoramës kaq të veçantë të këtij qyteti të moçëm. U përpoqa ta bind bashkinë që të heqë dorë nga këto plane të zymta, nëpërmjet disa letrave që botova nëpër gazeta, mirëpo askush s'ma vari. Kështu, në shenjë proteste ndaj vandalizmit që ka ushtruar ky institucion, unë i kërkova gruas të më lidhë tek një prej këtyre monstruoziteteve."
Nga ana tjetër e botës, Shefi i Zonës këtu tek ne i nxjerr inatin Zotit Hiqmet:
- "Ka ca probleme kjo historia që sapo më tregove. Gjallë në botë nuk bën vaki që njeriu i shëndetshëm të shkojë e të lidhet me dëshirë e me vullnet pas shtyllës elektrike, për më tepër nga e shoqja. Kështu që pa më thuaj, nëqoftëse nuk je çmendur, çfarë problemi tjetër ke?"
- "Gaboheni zotëri, nuk jam çmendur assesi. Me lejen tuaj do të desha të sqaroj pozicionin tim"
- "Lëre mor lejen e dreqit! Pse nuk na i thua gjithë ç'ke për të thënë?"
- "Zotëri, shërbenjësi juaj i përunjur është lodhur nga ky qyteti ynë..."
- "Oh çfarë gallate! S'ka njeri në botë që të mos ketë qejf të rrojë në një qytet të bukur si ky yni, e ti na ardhke e na tregoke që qenke lodhur me të. Kur qenka kështu puna pse s'thyen qafën diku tjetër e të vazhdosh me punët e tua të çuditshme? Po para se të zhdukesh, pa na rrëfe me saktësi se çfarë ta paska shpifur ty këtë qytetin tonë?"
- "Ndërtesat e çuditshme, rrugicat e ngushta, rrugët me gropa, pallatet nëntëkatëshe që mbulojnë qiejt e lagjeve përdhese, veshtullima e këtyre ngjyrave të pështira, smogu, zhurmat... Doni t'ju numëroj të tjera?"
- "Paske qenë njeri shumë i çuditshëm. Pse ore nuk shkon të shohësh punët e tua e të merresh me statujat, por na u përzieke si i padobishëm me punë të tjera? Ç'e di veten ti, kryetar bashkie?"
- "Zotëri, sendet që sapo ju numërova janë bezdi e madhe për sytë e mi, vazhdimisht."
- "Ah tani e kuptova! Mendoj se në vend që të të lidhnin pas shtylle duhet të të kishin lidhur diku tjetër! Sulejman! Nxito! Bëj gati letrat e dokumentet për këtë burrin, dhe dërgoje menjëherë për vizitë tek spitali i burgut për një kontroll mjekësor. Ky miku duhet të kish lindur në Evropë."
Kthehemi për herë të fundit në Angli. Gazetat kanë filluar një fushatë të fuqishme në mbështetje të Zotit Braun. Protesta e tij tashmë pasohet nga qindra qytetarë. Të gjitha shtyllat elektrike janë hequr, dhe në vend të tyre janë vënë të tjera, sipas kërkesave.
Ndoshta vret mendjen se ç'ndodhi vallë me atë burrin, Zotin Hiqmet, që i kish rënë në dorë policave tanë. Epo ndoshta të ka shpëtuar nga sytë ai artikulli i vogël dhe i parëndësishëm që doli në shtyp dy ditë pas incidentit:
"Një i përhënur merret nën kujdes
Një njeri i sëmurë i kërkoi së shoqes ta lidhte pas shtyllës elektrike në një park të qytetit, në mesnatën e pardjeshme. Sipas tij arsyeja qëndronte tek veprimet jo-estetike të bashkisë, të cilat i bezdisnin pamjen. Personi në fjalë u arrestua nga policia dhe u dërgua për kontroll mjekësor. Raporti i mjekut e diagnostikon të sëmurin si me probleme mendore. Sipas rastit ai u dërgua në çmendinë. I marri pretendonte se ishte skulptor, dhe deklaronte se quhej Hiqmet."
 

Askushi

Anëtar i ri
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
2,157
Pikët
0
Vendndodhja
Neverland
AZIZ NESIN




I ÇMENDURI





Përktheu: PILO ZYBA




Unë po ecja nëpër Stamboll nga Eminënia për në Karaqëj. Arrita deri te ura e Gallatës e papritur dëgjova të thërrisnin:
-Ikuuu!
-Ikuuu!
Zunë të fërshëllejnë bilbilat e të vrapojnë policët. Në urë filluan të shtyheshin. Lëvizja e transportit u ndal.
Kalimtarët pyesnin njëri tjetrin:
-Si është puna?
-Çarë ka ndodhur?
Dikush u tha:
-Policisë i shpëtoi një i çmendur.
Mua mu afrua njëri prej kalimtarëve.
-Punë e madhe u paska shpëtuar një i çmendur! Sikur unë e ju jemi më të mençur. Pa shiko u paska ikur një i çmendur! Krijojnë panik kot së koti.
Çfarë ti thosha. Si përgjigje i buzëqesha. Zumë të ecnim pranë njëri tjetrit. Na doli një bashkëbisedues i këndshëm, dinte shumë anekdota zbavitëse për të çmendur. Anekdotat ishin të goditura dhe ai i tregonte me mjeshtëri. Nuk mundja të mos qeshja. Ishte bashkudhëtar i rrallë. I gjallë, i dashur e joshës.
-Po këtë e keni dëgjuar? Një të çmendur që po shëtiste në oborrin e çmendinës, e pyetën që përtej gardhit: “Sa vetë ka si ti atje brenda?” I çmenduri u përgjigj: “Po midis jush atje jashtë sa ka?” Ja shikojeni, fjala vjen, këtë kalimtar.
Unë e vështrova atë njeri që më tha ai.
-Kushedi mbase ky është ai i çmenduri që ka ikur, - qeshi ai me qesëndi.
Me të vërtetë kishte shumë mundësi. Atë person të çuditshëm nuk mund ta merrje kurrsesi për një njeri normal. I vrenjte vetullat, i tundte krahët, bënte gjithfarë gjestesh, sikur grindej me dikë, shqiptonte fraza të ndryshme, herë me zë të lartë, herë duke pëshpëritur, herë duke thirrur me zjarr. Po,po, kishte shumë mundësi që ai të ishte i çmenduri i vërtetë. E qartë, ai i kishte shpëtuar policisë.
-Vemë të lajmërojmë në polici, - i thashë unë, - duhet kapur.
-Jo. Pa vështroje tani këtë tjetrin?
Unë ktheva kokën dhe pashë një mesoburrë flokëverdhë, nxitonte në trotuar dhe qeshte me të madhe. “E paskan gjetur kohën për tu gajasur, - mendova unë”. Pa pritur u ngërdhesh dhe fytyra iu shëmtua. Flokëverdhi u ndal, zuri të numëronte diçka me gishta pastaj qeshi përsëri.
-Ja ai, - i pëshpërita bashkëbiseduesit tim. Më duket se ky vetë do të jetë ai i çmenduri. Eja shpejt të lajmërojmë në polici, le ta kapin.
Bashkëbiseduesi im tregohej krejt gjakftohtë. Sa ia kisha zili.
-Nuk është nevoja, - buzëqeshi. Më mirë dëgjo bisedën e këtyre qytetarëve të nderuar të qytetit tonë. Unë i hapa veshët. Njëri thoshte:
-E kapa të poshtrin për gryke dhe e pyeta: “Sa kushton limoni? Si? Pesëdhjetë korushë?
Pa eja njëçikë këtu ore maskara! Ky edepsëz duhet varur këtu në urë pa gjyq. Nuk duhen shumë, përdridhua kokën nja dy a tre vetave e do të shikosh se në vendin tonë nuk do ketë më spekulatorë." Eca më tej e shoh një shitës majdanozi, e pyes: “Sa e ke tufën? Si? Dhjetë korushë? Si dhjetë korushë?! O i pa fytyrë, qenke mësuar të rrjepësh! Trekëndëshin e ke pak more qen bir qeni!” Ta them me gjithë mënd, pas këtyre masave nuk do të mbetej frymë spekulatori.
Burri tjetër as që ia varte fare shokut të vet dhe grinte për hesap të tij:
-Kryesore është bujqësia vëllaçko! Bujqësia është gjithçka. Mbi të gjitha është bujqësia pastaj vjen liria. Në vendin tonë nuk duhet të ketë asnjë pëllëmbë tokë të pa punuar. Ja, fjala vjen, unë në ballkonin tim mbolla qepë në saksi. Po ta bënin këtë punë të gjithë qytetarët, vendi ynë nuk do ndjente kurrë mungesë qepësh. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për fasulet, për kastravecët. Po të rriste secili nga një fasule e kastravec në saksi, atëherë nuk do të vuanim nga mungesa e këtyre prodhimeve shumë të shijshëm. Vetëm një avaz dëgjohet. “Liri! Liri! Për çfarë lirie mund të bëhet fjalë në një vend ku nuk ka as fasule!"
Ndërsa shoku i tij vazhdonte të vetën:
-Duhet kërbaç, vetëm kërbaç! Ndryshe nuk bëhemi njerëz!
Të dy flisnin njëherësh, zërat e tyre bashkoheshin e unë dëgjoja këtë duet:
-Para së gjithash është fasulja, vëlla, pastaj kushtetuta. E kemi mësuar përmendësh, “drejtësi, drejtësi!” Po panxhari i sheqerit? Duhen varur këta të poshtër!
Unë e pyeta bashkudhëtarin tim:
-Sa të çmendur kanë ikur? Një apo dy?
-As unë nuk e di.
-Po, këta që të dy janë të çmendur. Vemi shpejt në polici? Është këtu afër pas urës!
Zumë të zbrisnim shkallët. Përballë nesh pamë të ngjitej një grua e re e bukur. Burrat i hidhnin vështrime me zili e disa mëndje e ngacmonin me paturpësi:
-Më dashuro mua bukuroshe!
-Dua të të shtrihem nën këmbë, që të më shkelësh ti, ashtu si shkel qilimin!
-Ah, ç’kukull!
Atë çast ngjau dhe skandali më i shëmtuar. Dy gangsterë iu sulën gruas. Ajo zuri ti godiste me çantë, por s’ishte punë. Bërtiti:
-Ndihmë!...Ndihmë!...
Faqezinjtë e rrëzuan atë në shkallë.
-Po ne ç’presim? – thirra unë.- Ja këta janë të çmendurit që kanë ikur! Kush mund të dyshojë?
Pastaj vazhduam rrugën tonë. Bashkudhëtari im gjakftohtë nisi prapë të më tregonte anekdota për të çmendurit. Unë gajasesha si i marrë.
Arritëm në Karaqëj. Papandehur dy policë e kapën për duarsh bashkëbiseduesin tim.
-Ehë! Të Zumë! Na ranë këmbët duke të kërkuar! Marsh përpara, o i marrë!
-Lamtumirë shok! – më tha ai, kur u ndamë. Desha të shkoja dhe unë atje ku do ta çonin atë. Desha, por nuk shkova.
I thirra:
-Mirupafshim o mik!
 

Askushi

Anëtar i ri
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
2,157
Pikët
0
Vendndodhja
Neverland
AZIS NESIN





UNE U VETEVRAVA





Ca kohë më parë më ishte ngjitur një sëmundje shumë e rrezikshme. Sëmundja ishte verem, ishte aq e shpifur sa ma mërziti jetën. Shi në ato momente kryqëzoi për herë të parë mendtë e mia plani për të vrarë veten.
Dhe ja se si filloi aventura ime e parë drejt vetëvrasjes: Pyeta veten “O shpirtvrerosur romantik! Në ç’mënyrë do të të pëlqente të vdisje? Me një kobure, siç i shkon temperamentit tënd, apo me një thikë? Në thellësitë e detit, apo në rrotat e trenit? Helm apo...?”
Një zë i brendshëm foli e mu përgjigj: “Zotni! Fundi i fundit vetëm një herë në jetë vdes njeriu. Pra pse të mos përdorim metodat e verifikuara nga aristokratët për të thirrur në takim vdekjen?”
Bash ashtu, vendosa t’i jap fund jetës me farmak, duke ndjekur rrugë të njëjtë me ca personazhe të famshëm historikë, që e pritën vdekjen të shtrirë në krevatet luksozë e të rehatshëm, në pallatet e tyre mbretërore. Pak rëndësi kish që unë nuk zotëroj as krevat luksoz dhe as pallat mbretëror; shtëpia ime e thjeshtë dhe dyshemeja e shtruar me tulla mund ta kryenin po aq mirë detyrën.
Pasi e ndava mendjen u nisa drejt e për te dyqani i barnave, bleva një dozë nga helmi më vdekjeprurës dhe u ktheva në shtëpi. U futa në dhomë, e kyça derën nga brenda dhe u ula për të shkruar një letër të gjatë e romantike, që pak a shumë konsistonte në fjalët: “Adieu o botë vdekatare!”
Më pas rrëkëlleva një gllënjkë helm e u shtriva përtokë, në dysheme. Prisja që të gjithë damarët të më ngushtoheshin nga çasti në çast, që ta ndalonin qarkullimin e gjakut në trup, që të paralizonin funksionin e gjëndrave dhe organeve, por asgjë s’ndodhi. Pasi prita goxha gjatë u çova, piva dhe një gllënjkë farmak dhe u shtriva përdhe përsëri. Koha kaloi shpejt, po ne trup s’mu shfaqën as shenjat më të vogla të helmimit. Vetëm më vonë arrita të marr vesh që në vendin tonë shumë të dashur, ku qumështin e përziejnë me ujë, ku gjalpin e shtojnë me pluhur patatesh dhe me dhjamë kafshësh, piperin e kuq e shtojnë me pluhur tulle, këtu s’e kanë për gjë që dhe helmin të ta shesin të holluar! Do të thotë që një xhentëlmen si unë, një shërbenjës i qeverisë, një jakëbardhë si unë, s’ka as edhe një dreq shprese që të vetëvritet me sukses duke gëlltitur helm.
Shërbenjës juaj i përvuajtur ka qëlluar kokëmushkë si natyrë. Nëse më mbushet mendja për diçka, dhe ndonjë ide më hedh rrënjë në kokë, herët a vonë unë arrij ta vë në jetë. Vendosa që t’i hedh trutë në erë me një plumb të vetëm pisqolle, që do të garantonte një vetëvrasje të sigurt. E mbusha revolen, e mbështeta tytën në ballë, mbylla sytë dhe me dhëmbët shtrënguar shkela këmbëzën. Mirëdita! Ç’dreqin ka? Fisheku s’doli. E shkela dhe një herë këmbëzën, po nuk pati asnjë ndryshim nga hera e parë. Më vonë ekspertët më shpjeguan se pistoleta ime qe importuar nga Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet programit të ndihmës dhe asistencës ushtarake.
Pas takimit zhgënjyes me pisqollën menjëherë më shkoi mendja tek gazi. Ky po, mund të ishte vrasës i sigurt. Dhe vdekjes nga gazi nuk i mungon lavdia. Me të thënë e me të bërë mbylla çdo derë e dritare, u sigurova që kisha vulosur çdo vrimë e çdo vërë, dhe i çela deri në fund rubinetat e gazit. U rrasa në karrike dhe fillova të provoj poza të ndryshme. Në fund zgjodha një qëndrim gjithë dinjitet, që njerëzit ta kuptonin që kishin patur të bënin me një person serioz, anipse pas vdekjes. Mëngjesi u shndërrua në mesditë, pasdite e më pas muzg. Asnjë gjurmë e Asrailit vërdallë!
Aty nga mbrëmja më vizitoi një mik.
I bërtita: “Mos hyr brenda! Dil menjëherë.”
“Si është puna mor zotni?” më pyeti.
“Unë jam duke vdekur” i thashë
“Nuk je duke vdekur, maksimumi mund të jesh duke u çmendur”
Pasi i rrëfeva planin tim ai u shkri duke qeshur dhe më tha: “Më lejo të të them që je budalla i klasit të parë. Si ore nuk e ditke që tubat e gazit sot shpërndajnë vetëm ajër të pastër? Nëse e ke seriozisht këtë punën e vetëvrasjes, dëgjo këshillën time e bëj ç’të të them. Sepse kështu ndoshta do të ta shlyej gjithë miqësinë që më ke dhuruar.”
Ai më këshilloi të blej një thikë cilësore e ta rrasja në stomak, siç bëjnë trimat japonezë, e më pas, me zorrët në dorë të largohesha nga kjo botë e vdekshme prej gjaku e mishi.
E falënderova për këshillën e vyer, u nisa drejt e për në pazar ku bleva një thikë. Teksa ecja me thikën në dorë u drodha. Paj, t’ju rrëfej të vërtetën, ideja e këllitjes së zorrëve të dikujt jashtë barkut, me thikë, sidomos kur zorrët janë të tuat, nuk është shumë e këndshme. Një tjetër mendim që më shqetësonte ishte turpi fatkeq që do të mbetej pas me siguri, se kur të më bënin ekzaminimin post-mortem doktorët nuk do të gjenin dot në zorrët a në stomakun tim sendin e përkufizuar si ushqim, dhe as ndonjë gjë të ngjashme. Gjithsesi e futa thikën në mëngë dhe u nisa për në shtëpi, kur dy polica më ndalën.
Me seriozitet u përpoqa të shpjegohem: “Zotërinj, ju lutem bëni durim e më dëgjoni. Unë ia paguaj të gjitha taksat qeverisë, me përkujdesjen më të përpiktë. Nuk kam pëshpëritur as edhe një fjalë kundër qeverisjes sonë të dashur. Është zor të të dalë përballë ndonjë qytetar më i ndershëm se...”
Ma ndërprenë fjalimin e gjatë sapo vunë re dorezën e thikës që dilte nga mënga, dhe më bërtitën: “O zoti qytetar i respektuar! Ç’kërkon kjo lodër në mëngën tënde?”. Vetëm në atë moment e kuptova që sapo kisha hasur atë skuadrën speciale të policisë që kontrollon herë pas here qytetarët e respektuar, duke u përpjekur që të zvogëlojë numrin e incidenteve si zhvatjet, hajnitë apo krime të tjera kësisoj në qytet.
I thashë vetes: “O zot, kurrë nuk ka qenë e lehtë të jetosh në këtë atdheun tim, por sot po më duket po aq e vështirë edhe vdekja këtu. Edhe për sa kohë e paskemi të shkruar që ta durojmë këtë arrogancë?”
Kush dëshiron t’i çojë gjërat deri në fund, duhet të mësojë nga unë. Pasi e vendosa që t’i jap fund jetës, kush vallë mbi kët’dhe do të më ndalonte? Policia më konfiskoi thikën, e çfarë pastaj? Që ditën tjetër shkova te bakalli dhe bleva një litar të trashë e të bëshëm, të cilin e fërkova mirë e mirë me sapun. Njërin skaj e lidha tek një çengel i hekurt që varet prej tavani, tjetrin e lakova dhe duke qëndruar në këmbë mbi një karrike, futa qafën time të dobët tejetej lakut. Më pas i futa një shkelm karrikes mbi të cilën rrija. Por sa largova karriken u përplasa në dysheme. Litari qe tepër i dobët për peshën time. Shkova të ankohesha te bakalli.
Përgjigjja e tij qe e pafajshme: “Zotni, neve nuk na vjen më ai furnizimi i parë, ai cilësori. Po s’na erdhi mall i mirë nga jashtë me çfarë do t’i kënaqim klientët tanë?”
Më në fund u binda tërësisht që për mua vdekja qe e pamundur. Meqenëse përpjekja për vetëvrasje rezultoi kaq e kotë mendova, e përse mos të rregulloj ca gjëra që i duhen jetës? Meqenëse jeta ka nevojë për stomak të mbushur u drejtova tek restoranti i parë. Aty porosita qebap viçi të fërguar me vezë dhe i hëngra, disi më i lehtësuar shpirtërisht. Pjata tjetër konsistonte në përmbajtjen e një kutie metalike me perime konservë, të skuqura në gjalpë. E mbylla të gjithën me një pilaf me kos. Ndihesha plotësisht i ngopur. Siç dola nga restoranti, mu joshën sytë nga një ëmbëltore matanë rrugës. Shkova dhe aty, dhe gëlltita një nga një pesë pasta me krem.
Një gazetashitës që po ecte në trotuar thërriste: “Gjashtëmbëdhjetë faqe për 20 qindarka! Bash gjashtëmbëdhjetë faqe! Nëse nuk keni qejf të lexoni mund ta përdorni për të bërë kaushë letre. Shisni kaushët, dhe keni për të dalë të fituar. Blini gazetën ditore...”
Në përgjithësi unë i evitoj gazetat. Por meqë u bënë kaq ditë pa shfletuar një, nuk i rezistova kureshtjes dhe ia mora një gazetashitësit. Kur mbërrita në shtëpi fillova ta shfletoj gjersa gjumi më mposhti. Ndërsa flija ndjeva një si thikë që më ngulej në stomak. Ishte një dhimbje e tmerrshme, therëse, që s’ka fjalë ta përshkruajë. Kur dhimbja u bë e padurueshme nisa të ulërija. Një rob zoti se ku kullandrisi një ambulancë dhe më çuan në spital. Kur mbërrita në spital më kishte rënë të fikët nga dhimbjet. Me të ardhur në vete, sapo hapa sytë, pashë një doktor ndanë shtratit ku isha shtrirë.
Ai më tha: “Do kesh ngrënë ndonjë gjë të keqe. Diagnoza ishte helmim nga ushqimi. A më thua ç’ke ngrënë këtë mëngjes?”
“Hëngra ca pasta me krem dhe...”
“Çfarë...?” Thirri doktori. “Pasta me krem the? Je çmendur? Me sa duket nuk i paske lexuar gazetat këto ditë. Po t’i kishe lexuar s’do të kishe guxuar t’i aviteshe ëmbëltoreve. S’e paske marrë vesh ti që ka disa ditë që faqet e gazetave janë mbushur me lajmërime vdekjesh nga kolera që po përhapet nga pastat! Nejse, po tjetër ç’ke ngrënë sot?”
“Hëngra drekë në një restorant.”
“Drekë? Në një restorant? E çfarë hëngre?”
“Qebap viçi, perime konservë, pilaf, kos,...”
“Po çuditem që qenke ende gjallë pas gjithë këtyre! Po tjetër?”
“Për zotin asgjë tjetër s’kam ngrënë doktor. Por lexova editorialin e një gazete pro-qeverisë. Aty më filluan dhimbjet...”
“Ia paske hedhur paq. Falëndero yjet që merr ende frymë.”
Tek kthehesha për në shtëpi mendja ime më pyeste vazhdimisht: “Nëse nuk qenka e shkruar për njerëzit e varfër si unë që të jetojnë një jetë të rehatshme, atëherë pse na e mohojnë një vdekje të lehtë?”
Tani, sa herë që kam dëshirë të vetëvritem preferoj drekën në restorant ndaj çdo mjeti tjetër: helm, thikë, litar, gaz, etj.
 

Askushi

Anëtar i ri
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
2,157
Pikët
0
Vendndodhja
Neverland
AZIS NESIN




BLLOKU I SHENIMEVE





Përktheu Iliaz Bobaj




Në shtëpinë time, nën tryezë, gjeta një bllok shënimesh. Pyeta njerëzit e shtëpisë, se mos ishte i tyre.
Nuk ishte i askujt. Ishte një bllok i bukur dhe fin, me ballinë blu dhe shkronja të arta. Fillova ta shfletoja, për të marrë vesh se i kujt ishte. Por u befasova që në faqen e parë. Ishte shkruar emri i një personaliteti të lartë, adresa e shtëpisë së tij dhe numri i telefonit. Hapa faqen e dytë dhe aty, njeri nën tjetrin, ishin emrat e tre personaliteteve, me adresën e shtëpisë dhe numrat e telefonave të tyre.
Sa më tej shfletoja faqet, aq më tepër befasohesha. Blloku i shënimeve ishte mbushur me adresat e nëpunësve të njohur të lartë shtetërorë, ekonomistë, etj. Detyra me e ulët e hierarkisë shtetërore, aty midis tyre, ishte ajo e Sekretarit të Përgjithshëm...
Vura re edhe diçka tjetër: në bllok ishin të ndarë emrat e politikanëve më të fuqishëm të vendit tonë. Kushdo që të ishte në vendin tim, do të ndjente të njëjtin shpërqendrim. Ky bllok shënimesh, me adresat e personaliteteve të rëndësishëm, i ngjante një bombe, e cila është gati të pëlcasë. Padyshim, do ta ketë lënë fshehur në shtëpinë time ndonjë nga miqtë e mi. Më pushtoi një frikë e pashpjegueshme. Mund të trokasin befas në derë, të turren brenda hafijet dhe të më thonë:
- Nxirr bllokun e shënimeve!
Unë,duke u dridhur, do të pyesja:
- Cilin bllok kërkoni?
Do kërkojnë në dhomën time. Do gjejnë bllokun nën tryezë, sikur ta kenë vënë aty me dorën e tyre.
E di shumë mirë se çfarë do të ndodhë. Njeriu i lig, i cili e la enkas bllokun e shënimeve në shtëpinë time, do të njoftonte ndërkohë edhe policinë. Është e qartë si drita e diellit, që rashë në një grackë të rrezikshme... Kur ta gjejnë bllokun e shënimeve, policët do thonë:
- Pa na i shpjego! Mbake regjistër dhe ke shkruar në bllok emrat e kaq personaliteteve të lartë. Për t'u bërë presion, ë? Apo edhe për ndonjë vrasje?
- Aman, jarabi!... Çfarë t'u them? Mos vallë do më besojnë? Duhet ta djeg menjëherë bllokun dhe hirin e tij ta shpërndaj në të katër anët. Cili ishte ai i pacipë, që ma bëri këtë punë? Në mbrëmje kishin ardhur tre miq në shtëpinë time. Është e pamundur ta kenë bërë ata këtë gjë. Njeri është docent në Universitet, tjetri është bibliotekar, kurse i treti filolog...
Në çastin që isha gati ta digjja bllokun në banjë, trokiti dera. Ishte miku im, Haliti, bibliotekari i Universitetit, i cili kishte ardhur edhe mbrëmë në darkë. Edhe ai ishte i shqetësuar, ashtu si unë.
- Çfarë ke? - më pyeti, - të shoh shumë të zbehtë.
E pyes:
- Ç'është kjo pamje, përse je në këtë gjendje?
- Aman, mos më ra gjë mbrëmë ndonjë bllok shënimesh?
Ia tregova.
Ma rrëmbeu nga dora.
- Aman, ky është... Nuk mund të ta them me gojë se sa u shqetësova, mendova se e humba...
E mora për krahu dhe e shpura në dhomën ku kam zyrën time.
- Për pak vdiqa nga frika, - i thashë. - Dhe tani më thuaj të vërtetën, përse të duhen adresat e kaq personaliteteve?
Këtë herë ishte ai që u habit.
- Ti nuk ke bllok të tillë me adresa?
- Jooo!...
- Të lutem, bëj çmos ta kesh një të tillë dhe mbaje në xhep! Ulu të të sqaroj, se përse i kam shkruar në bllok ato adresa.
Më hipi mania të mblidhja stilografë. Disa i bleva,disa m'i dhuruan. Arrita të kem dhjetë të tillë në xhep, pastaj pesëmbëdhjetë. Kisha shkuar në hotel për të takuar një mikun tim gjerman, që është poet, i cili kishte ardhur nga Gjermania. Kur mori vesh se bëja koleksion me stilografë, më dhuroi edhe ai një të tillë. Sapo dola nga hoteli, nuk i bëra dot ballë kureshtjes dhe, kur mora një kthesë, thashë t'i hidhja një sy stilografit. Duhet të dish se përherë mbaj me vete lente. Pashë me lente majën e stilografit. M'u duk se maja ishte ca e trashë. Shkrova dy fjalë dosido në bllok. Dy fjalë, të cilat më erdhën ndërmend atë çast: “e hollë dhe fine”. Për të fërkuar majat e stilografëve përherë mbaj me vete një letër smerili shumë të hollë, si ajo që kanë argjendarët. Mora lenten në dorë dhe, ndërsa po këqyrja edhe një herë majën e stilografit, dy duar më mbërthyen nga pas shpatullave:
- Çfarë bën aty?
- Unë? Asgjë... Po shikoj stilografin.
- Hi, hi, hi... Stilografin, ë? Çfarë punë bën?
- Unë, në Universitet...
Nuk arrita ta mbaroja fjalën:
- Domethënë profesor, ë? I shkreti profesor!...
Njeri prej tyre më shtyu me bërryl në krahun tim të majtë, duke më thënë:
- Pa ec të shohim!
- Aman, bej!... Me siguri gaboni!...
- Ec,ore!...
Sapo fillova të ecja, më dhanë një të shtyrë nga ana e djathtë. Në ta mban, mos ec... Shkuam tek roja. Më përplasën në një birucë. Prita, as zë e as këmbë njeriu... Pas disa orësh ia behu njeri:
- Bjer në gjunjë! - më tha.
- Nuk bie në gjunjë!...
- A, kështu, ë? I shkreti profesor!... Hajde, nxirr ç'ke me vete!...
I nxora të gjitha ç'kisha dhe i vura mbi tryezë. Katërmbëdhjetë stilografë, dy libra, një bllok shënimesh, një lente dhe dy fletë letër smerili...
Më tregoi stilografët:
- Ç'janë këta?
- Stilografë.
- Hi, hi, hi... Stilografë, ë? I shkreti profesor!...
Nuk isha në gjendje t'u thosha se nuk jam profesor, por bibliotekar në Universitet. Mori në dorë lenten:
- Çfarë është kjo?
- Lente...
- Lente, ë? I shkreti profesor!...
Erdhën edhe tre të tjerë. Filluan të më hetonin të tre së bashku.
- Çfarë është kjo?
- Letër smerili.
- Bre, çfarë letër smerili është kjo! Nuk ka asnjë shenjë smerili. Kujt ia shet këto?
- Është letër smerili e hollë, nga ato që përdorin argjendarët...
- Hi, hi, hi... Letër smerili e hollë, ë? I shkreti profesor!...
Më dha edhe një të shtyrë me sup. E pashë që isha ngatërruar keq.
- Bej, - iu thashë, - me siguri është bërë ndonjë gabim... Nuk e di se për çfarë arsye më sollët këtu, por mua më njohin të gjithë gazetarët dhe universitarët. Unë nuk jam nga ata tipa, për të më bërë një hetim të tillë.
Ai që këqyrte bllokun e shënimeve, më qortoi, duke ia bërë ''shshsht!''.
Mandej në çast i shkëlqyen sytë. Më tregoi fjalët që kisha shënuar para pak çastesh, për të provuar stilografin.
- Çfarë shkruan këtu?
- E hollë dhe fine...
- E hollë dhe fine, ë?
- Po, e hollë dhe fine...
- Dhe ç'domethënë kjo?
- Asgjë...
- Atëherë përse e shkrove?
- Për të provuar majën e stilografit dhe...
- A, meqë është kështu... Po mirë,nuk gjete ndonjë gjë tjetër për të shkruar dhe shkrove këtë?
E vërteta është se nuk e kisha menduar aspak...
- Nuk e di, ajo më erdhi ndër mend, atë shkrova...
- Hi, hi, hi... E hollë dhe fine, ë? Tani do të ta tregojmë ne... Atë kujtove, ë ? Përse nuk të erdhi ndërmend diçka tjetër?
Njeri prej tyre shkoi pranë makinës së shkrimit. Filloi të lexonte procesverbalet. Më zuri frika... Mos vallë ajo që kisha shkruar rastësisht “e hollë dhe fine”, ishte kodi i ndonjë rrjeti spiunazhi? Katërmbëdhjetë stilografët, blloku i shënimeve, lentja, dy librat, letra e smerilit të argjendarit, “e hollë dhe fine”. Kushdoqoftë, do të dyshojë. Nuk dija ç'të bëja. Të gjitha këto i shënoi njeri prej tyre, kurse një tjetër këqyrte përherë e më me vëmendje bllokun e shënimeve. Për të gjitha këto sende, që më ishin gjetur, mund të gjeja një justifikim. Por atë “e hollë dhe fine”, si mund ta justifikoja?
Ku në dreq erdhën ato dy fjalë në majën e penës sime? Nuk qe e thënë të shkruaja diçka tjetër?
Ai që këqyrte bllokun, papritur ndaloi në një faqe. Pastaj jua tregoi atë faqe të tjerëve. Diçka pëshpëritën midis tyre.
Befas ndërruan qëndrim ndaj meje. Ai që këqyrte bllokun, më tregoi adresën që ishte shënuar aty.
- Më falni, bej efendi, - më tha, - çfarë e kini këtë këtu?
- Shok të vjetër shkolle. U takuam pardje. Më ftoi edhe të hanim. Më dha adresën e tij dhe e shkrova në bllok.
Ato që thashë ishin krejt të vërteta. Takova një shok, të cilin kisha vite pa e parë. As që e dija që ishte Drejtor i Përgjithshëm. Ai që mbante bllokun në dorë, më foli me një buzëqeshje të ndrojtur.
- A, meqë qenka kështu... Zoti Drejtor i Përgjithshëm qenka mik i ngushtë i madhërisë suaj...
- Natyrisht. Bile në shkollë e thërrisnim Tirtik Riza...
- U gëzova shumë, bej efendi... Përse nuk uleni... Urdhëroni,ju lutem! Pastaj u kthye nga kolegu i tij.
- Xhanëm, përse e sollët këtu bej efendinë?
Duke u kthyer nga unë:
- Bujrum, bej efendi...
Unë përpara dhe ata pas, hymë në një dhomë të mobiluar. Më vunë të rrija në një kolltuk. Thotë njeri prej tyre:
- Bëka nxehtë sot. Do urdhëroni të na sjellin ndonjë gazozë të ftohtë?
- Ooo, ju lutem!...
Erdhën gazozat. Mbetëm ne të dy, të tjerët u larguan. Më pyeti:
- Bej efendi, cila është arsyeja e vizitës suaj? Mos dëshironi gjësend?
- Allah, Allah!... Ç'të dëshiroj? Nuk më prutë ju forcërisht?
T'i thosha që më sollën me të shtyra dhe me grushte, më vinte turp, meqë tani po më shfaqnin një sjellje plot delikatesë. I them:
- Bej efendi, erdha ashtu kot, për t'ju bërë një vizitë, për të pyetur si e kini qejfin.
- Aman, efendi, faleminderit shumë! Qofshi mirë!... Më falët një gëzim të madh. Aman, çfarë nderi që na bëtë!...
Mendova të ngrihesha pa u vrejtur prapë koha, e cila u kthjellua pak më parë, duke thënë:
- Do më falni, ju lutem, bej efendi...
U ngrit në këmbë dhe më shoqëroi deri tek hyrja. Për të shpëtuar nga thonjtë e tyre, shpejtova hapin. Do ishte turp t'ju kërkoja stilolapsat, bllokun, lenten. Do të ishte njëlloj sikur t'u rikujtoja gabimin e tyre... Dikush vrapoi pas meje.
- Bej efendi... Bej efendi... Zoti profesor!... Efendi, harruat sendet tuaja.
Më kishte sjellë sendet e mi.
- Vërtet jini mik i Drejtorit të Përgjithshëm?
- Po. Përse pyesni?
- Ja ashtu, tani është bërë e modës... Secili shkruan në bllokun e shënimeve emrat dhe adresat e personaliteteve të lartë. Më kuptoni? Në këtë mënyrë shpëtojnë, duke thënë se janë miqtë e tyre. Ku ta dimë ne nëse janë apo nuk janë miqtë e tyre. Përderisa ju jini vërtet miku i tij...
- Po.
- Bej efendi, në këtë letër kam shënuar të dhënat e mia. Nuk dihet ç'ndodh e ç'nuk ndodh ndonjëherë... Nëse e takoni përsëri zotin Drejtor...

***
Pasi Haliti m'i shpjegoi të gjitha ato që hoqi, shtoi:
- E pra,që nga ajo ditë e në vazhdim, kudo që gjej adresa të personaliteteve të lartë, të njohur e të panjohur, i shënoj menjëherë në bllok. Mik vëllai, më plasi tëmbli, duke kujtuar se e humba. Këto adresa janë diçka si sigurimi i jetës... Aman, bëje edhe ti! Veç bëj kujdes në diçka. Nëse rastis të japë dorëheqjen ndonjëri prej tyre, të lerë shërbimin për shkak të shëndetit ose të dalë në pension për shkak të moshës, shuaje menjëherë prej bllokut. Në të kundërt do futësh veten në telashe... Pasi ty nuk ta pret mendja për gjëra të tilla...
- Nuk kam patur të tillë bllok.
- Është për të mirën tënde... Vëllaçko, tani secili mban në xhepin e vet nga një bllok të tillë, për t'u mbrojtur nga fatkeqësitë dhe telashet. E di se ç'të pret kur të dalësh nga kjo derë? Të kujtohet, dikur njerëzit mbanin duva me të yshtura të ndryshme, për t'u mbrojtur nga sëmundjet dhe nga ora e ligë... Tani, në vend të yshtjeve, janë adresat e shkruara. Dhe janë qind për qind të suksesshme.
 
Top