• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Edoardo Sanguineti

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,220
Pikët
113
EDOARDO SANGUINETI
(1930-2010)​

U lind në Genova në 9 dhjetor të vitit 1930. Shkrimtar, poet, dramaturg dhe kritik italian. Në moshën tre vjeçe familja e tij transferohet në Torino, ku kaloi fëmijërinë dhe rininë. Në 1968 shkon me punë pranë Universitetit te Salernos dhe në 1974 kthehet në Genova, pranë Universitetit të Gjenovës si docent i letërsisë italiane, post që e mban deri në 2000. Eksponent i rëndësishëm i avangardës së re dhe i “Grupit 63, është autor poezish, ku, rrjedhshmëria e të shprehurit (e arritur nëpërmjet një përzierje formash gjuhësore nga më të ndryshmet), ka ndërmend të marrë rolin e një regjistruesi të krizës historike të ideologjisë borgjeze, politike dhe letrare: “Laborintus” (1956), “Triperuno” (1964), “WirrWarr” (1972), “Postkarten” (1978).


Përktheu poezitë nga italishtja
Ben Meçe
Bolonjë



IDENTIKIT

autoprodhohem, i brishtë, klonohem,
shkëpus veten nga vetja, dhe vetes i jepem:

autodixhitalizohem, ologramatik,
duke u përsëritur në gjithçka, i shkathët e praktik:

automaskohem, dhe tepër plastikisht,
mbështjell trupin tim në një beze, mendjen time gjithashtu:

autoregjistrohem, tashmë, po u ikonizova,
i kromoshifruar në spektër – dhe ironizohem.

RADIOSONET

libri im je ti, imja dashuri e vjetër:
ti kam lexuar vertebrat, lëkurën
e pulseve të tu: kam përkthyer edhe zhurmëzën
e gojëhapjeve të tua nga gjumi: në sqetullat e tua

kam regjistruar miniditarin tim: ngrohtësia
e kërthizës tënde është një përmbledhje enciklopedike jotja: nëpër
ksilografitë e rrudhave të tua është zemra
e alfabetëve të tu të shumtë: gjinjve

të kapitujve të tu të shkurtër u kam besuar,
biblën time, dedikimet e mia patetike:
këtë sonet të vetëm, e kam kopjuar

nga gryka jote, tani: dhe kam dëshifruar
vaginën tënde, arteriet e tua hermetike,
gishtat e tu tregues, lëngun e hidhur të stomakut tënd, frymëmarrjen tënde.

***

ky është maçoku me çizme, kjo është paqja e Barcelonës
ndërmjet Karlos V dhe Klementit VII, është lokomotiva, është pjeshka
e lulëzuar, është kali i detit: po nëse kthen fletën, Aleksandër,
shikon paranë:

këta janë satelitët e Mërkurit, kjo është Autostrada
e Diellit, është dërrasa e zezë e ndarë në kuadrate, është vëllimi i parë i Poetae
Latini Aevi Carolini, janë këpucët, janë gënjeshtrat, është Shkolla e Athinës, është gjalpi,
është një kartolinë që më ka ardhur sot nga Finlanda, është muskuli përtypës,
është të lindurit: po nëse kthen fletën, Aleksandër, shikon
paranë:
dhe kjo është paraja,
dhe këta janë gjeneralët me mitrolozët e tyre, dhe janë varrezat
me varret e tyre, dhe janë arkat e kursimit me kasetat e tyre
të sigurimit, dhe janë librat e historisë me historitë e tyre:
po nëse kthen fletën, Aleksandër, nuk sheh asgjë:

***

qaj qaj, të të blej një shpatë të gjatë plastike blu,
(një frigorifer
Bosc në miniaturë, një arkëz kursimi prej balte, një fletore
me trembëdhjetë viza, një aksion të Montekatinit:
(qaj qaj, të të blej një kundragaz të vogël, një flakon shurupi shplodhës,
një robot, një katekizëm me figura me ngjyra, një hartë
(gjeografike me flamurza fitimtare:
qaj qaj, të të blej një balenë të madhe
prej gome, një pemë të Vitit të Ri, një pirat me një këmbë
prej druri, një biçak me hapje-mbyllje, një copëz të bukur të një të bukure
bombe dore:
[qaj qaj, të të blej gjithato pullë poste
të Algjerisë franceze, gjithato lëngje frutash, gjithato koka druri,
gjithato koka arapësh, gjithato koka të vdekurish:
[oh qesh qesh, të të blej
një vëlla të vogël: që të thërrasësh në emër: që ti ta thërrasësh
Mikel.

NË TY FLINTE SI NJË TUMOR I THATË…

në ty flinte si një tumor i thatë, si një
(kërpushë e dobët, një ëndërr;
tani shkel zhavorrin, tani shkund hijen e vet, tani
këlthet
përtypet, përmier, pasi kishte pritur ngaherë shijen
e kamomilit, temperaturën e lepurit, zhurmën
(e breshërit,

formën e çatisë, ngjyrën e kashtës:
pa shpëtim koha
ishte drejtuar drejt ditëve të saj; toka ofron pamje
(konfuze;
do mund të njohë dhinë, fshatarin, topin e luftës?

jo këto gërshërë shpresonte me të vërtetë, jo këtë dardhë,
kur dridhej në atë thesin tënd prej membranash të patejdukshme.

***

mbërtheje këtë mërkur, këtë mishdhembi të ftohtë, këtë mjaltë, këtë sferë
xhami të thatë; mate me kujdes kokën e tonit
fëmijë dhe mos e prek tani këmbën e tij
të paperceptueshme:
në thithat e gjinjve të tu duhet tani të konvertosh
një kontinent të zgjatur llampash, frymëmarrjen preokupuese të kopshteve
kritike, dembelet balena të barkut, luleortikat
dhe verën, të ardhurit për të vjellë dhe ndryshkun;
sepse çdo rrugë shumë shpejt
do te dojë t’i dalë përpara, një ërnie kërthizore t’i përcaktojë
profilin e tij të tymtë, ndonjë hipopotam t’i japë
dhëmbët e tij prej zbokthi e fosfori të zi:
evito erën,
vendet me shumë njerëz, lodërtaret, insektet;
dhe gjashtëmuajsh ai do mund të dyfishojë peshën, të shohë rosën,
të shtrëngojë përparësen, të asistojë gjatë rënies së peshave;
shkëpute pra nga jeta e tij e algave dhe e globulave, e nyjeve të vogla,
e organeve të pavendosura:
ulërima e tij do pushtojë plagët e tua të lëngshme
dhe sytë oblik prej gjalpi do korrigjojnë këta shekuj pa emër.

***

u kam treguar fëmijëve të mi që babai im ka qenë njeri i jashtëzakonshëm: (mund
t’ia thonë, pra, kujtdo, po të duan, më vonë): dhe që, të gjithë
njerëzit janë të jashtëzakonshëm:
dhe që nga një njeri mbijetojnë, ku ta di,
dhjetë fjali, ndoshta (duke mbledhur bashkë: tabiatet,
thëniet që kujtohen, gafat):
dhe këta janë rastet me fat:

***

sytë e mi janë djegur brënda syve të tu, brënda kutive të tua: janë djegur
si merimanga të djegura, si gazeta, si ditë:
sytë e mi si bimët e fierit
dhe të kashtës, e të frymës: që janë djegur si duar të djegura, si xhama
të djegur, si çibukë:
sytë e mi që janë djegur si sytë që janë gojë:
që këndojnë: e të këndojnë këtë këngëz, në këtë repart special, të spitalit Shën Martin:

***

poezia është akoma e praktikueshme, është probabël: unë e praktikoj, e shikon,
në çdo rast, praktikisht kështu:
me këtë poezi shumë të zakonshme (dhe shumë
prej të zakonshmi, tamam) dhe kjo poezi shumë e përditshme (dhe shumë gazetareske,
gjithashtu, po të duash) është më e qartë, më në fund, se ai artikulli i Fortinit që flet
për qartësinë e artikujve të gazetave, po ke parë “Korrierin” e datës 1,
të të hënës, dhe që ka për titull, pikërisht, “përse është e vështirë të shkruash qartë, (e që
thotë bile, ah, se qartësia është si virgjëria dhe rinia): (dhe qe
duhet ta humbasësh, duket, për ta gjetur): (dhe që unë them, shiko, se është shumë më mirë
ti humbasësh se ti gjesh, tek e fundit):
sepse unë ëndërroj të fundosem me kokë më parë,
tashmë, brenda një anonimi absolut (sot që kam humbur gjithshka, pothuajse): (dhe
kjo do të thotë, besoj, në thellësi, që unë ëndërroj absolutisht të vdes,
këtë here, e di) :
sot stili im është të mos kem stil:

***

tani konsumon në gishtin e tij të madh rripin e çorapes dhe dollapin:
hunda e tij është pëllumb;
pupila e tij është zar;
nduk tashmë në këmbën tënde karrocën dhe sedanin:
nuk reziston xhami, nuk reziston nastrua;
qielli është lëkura e tij e butë;
po në fortësinë e kockave të tij e befasojmë së ekzistuari,
dhe shohim lëkurë mbi thonj të rritet vdekja jonë.

Përgatiti: Hiqmet Meçaj
(Botuar në: "Gazeta e Athinës")
 
Top