• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Eugenio Montale

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,220
Pikët
113
EUGENIO MONTALE,
POETI HERMETIK ITALIAN I NDERUAR ME ÇMIMIN NOBEL



1896
Eugenio Montale u lind në Gjenovë në 12 Tetor 1896 nga Domenikua tregtar dhe Xhuzepina Riçi. Ishte i fundit nga gjashtë vëllezër, nga të cilët njëri i vdekur menjëherë pas lindjes. I kalon fëmijërinë dhe adoleshencën në brigjet ligure.
1916
Shkruan poezinë e parë “Nën hije i zbehtë dhe i përhumbur”, që do të bëhet bërthama e librit “Ossi di Seppia” (eshtra prej sopie).
1917
Futet nxënës në shkollën e oficerëve të këmbësorisë. Njohu kritikun Serxhio Solmi.
1918
Si oficer këmbësorie shkon vullnetarisht për të luftuar në Trentino; i besohet komanda e një pozicioni në vijën e zjarrit në fshatin Valmorbia. Nga kjo eksperiencë do të mbetet si dëshmi poezia “Valmorbia, bëhet fjalë për fundin tënd”, më pas e botuar në librin “Ossi di Sepia” (Eshtra prej sopie).
1920
Fillon të frekuentojë krerët kryesorë të kulturës Gjenoveze, midis të tjerëve poetin Kamilo Sbarbaro.
1921
Poli intelektual i tij u bë Torinua, ku njohu bërthamën e gazetës “Primo Tempo”.
1922-1926
Sergio Solmi i boton në “Primo Tempo” poezitë e para. Njihet me letërsinë e autorëve të mëdhenj europianë: Musil, Kafka, Italo Svevo. Në Milano njeh Sibilan Aleramon. Boton librin e tij të parë “Ossi di seppia” (1925). Ka shumë sukses nga kritikët më të mëdhenj. Në Trieste njeh Umberto Sabën, me të cilin lidh miqësi të fortë.
1927
Njeh poetin amerikan Ezra Paund. Takon Drusila Tancin që do të bëhet shoqja e tij e jetës. Transferohet në Firence.
1928
Del botimi i dytë i librit i plotësuar me poezi të reja. Poezia “Arsenio” përkthehet në anglisht dhe bëhet e famshme pas botimit të saj nga T.S.Eliot.
1931-1932
Del botimi i tretë i librit. Boton “Shtëpia e doganierëve” që bëhet bërthama e librit të dytë “Occasioni” (Raste).
1939
Bashkëjeton me Drusila Tancin. Njeh dhe frekuenton në të famshmen “Kafe e Xhupave të Kuq” tregimtarët Elio Vitorini, Karlo Emilio Gada, Aleksandër Bonsanti, Tomaso Landolfi dhe dy poetë të rinj, Piero Bigonxhari dhe Mario Luci, që do të bëhen autorët më të rëndësishëm të shkollës hermetike. Në grup bëjnë pjesë edhe disa piktorë.
1940
Del botimi i dytë i “Occasioni” i zgjeruar. Fillon për Montalen një aktivitet i dëndur prej përkthyesi midis të cilëve Eliotin, Shekspirin, Stainbekun, Servantesin, etj. Vazhdon aktivitetin e tij në fushën e studimit dhe të kritikës.
1944
Strehon në shtëpi disa miq hebrej të persekutuar nga regjimi fashist midis të cilëve Umberto Saba
dhe Karlo Levi.
1945
Bashkë me Aleksandër Bonsanti dhe Artur Loria, themelon dhe drejton revistën pesëmbëdhjetë ditore “Il Mondo” (Bota).
1946
Fillon të bashkëpunojë me gazetat “Corriere d’Informazione” (Korrieri i Informacionit) dhe “Corriere della Sera” (Korrieri i Mbrëmjes). Takon poetin Pol Eluar. Në vjeshtë “Il Mondo” ndërpret botimet.
1948
Transferohet në Milano, ku punësohet në “Corriere della Sera”. Detyra e tij e re do ta çojë të udhëtojë nëpër botë. Gjatë një udhëtimi në Angli, ku ndodhet i ftuar për një cikël konferencash bashkë me Alberto Moravia dhe Elsa Morante, takon T.S.Eliot.
Boton në librin “Quaderno di traduzioni” (Fletore përkthimesh), përkthimet e tij nga poetët më të rëndësishëm.
1956
Boton librin e tretë poetik, “La bufera e altro”.
1957
Shtëpia botuese “Mondadori”, boton botimin e dytë të zgjeruar të librit “La bufera e altro”.
1959
I akordohet titulli “Legion d’onore”.
1962-1965
Martohet në kishë me Drusila Tanci. Në Milano i akordohet çmimi ndërkombëtar “Feltrineli”. Në tetor, pas një viti martese vdes Drusila Tansi. Poeti nuk do të rimartohet kurrë. Merr pjesë së bashku me poetët më të njohur nga e gjithë bota në festimet përvjetorit të lindjes së Dantes.
1967
Fama dhe prestigji i tij rriten jo vetëm në kufijtë kombëtarë. Universiteti i Kembrixhit i akordon titullin “L’Honorary Degree”. Në Itali i akordohet vendi i senatorit të përjetshëm “që ka nderuar Kombin me meritat e larta në fushën letrare dhe artistike”.
1968
Njihet me poeten e re Analiza Çima.
1971
Boton në “Mondadori” librin e tretë me poezi “Satura”, në të njëjtin vit del vëllimi “Diario del ‘71”.
1972
Botohet versioni i parë i zgjeruar i “Diario”, i titulluar “Poeti, Ditar”.
1974
I akordohet nga universiteti i Romës titulli “Honoris Causa” në Letërsi. Nga Mondadori boton versionin definitiv të ditarit në vargje, të titulluar “Diario del ’71 e del ’72”.
1975
Boton versionin e dytë e të tretë, të zgjeruara, të “Quaderno di traduzioni”, në Mondadori. I akordohet Çmimi Nobel për Letërsi. Në Stokolm, në Akademinë e Zvicrës, mban diskutimin “Është ende e mundur poezia?”.
1976
Botohet nga Mondadori një vëllim i studimeve të tij mbi poetë italianë e të huaj dhe mbi poezinë e tij, “Sulla poesia”, që do të bëhet një libër i rëndësishëm.
1977
I akordohet nga Bashkia e Firences në mënyrë solemne titulli “Qytetar nderi”. Del nga Mondadori libri i tij i gjashtë poetik “Quaderno di quattro anni”. Nga i njëjti botues në nëntor del vëllimi “Tutte le poesie”, me të gjitha vëllimet që kishin parë dritën e botimit deri atë moment.
1978
I akordohet titulli “Anëtar Nderi i Akademisë Amerikane dhe i Institutit të Arteve dhe Letrave”.
1980
Botohet nga shtëpia botuese “Einaudi”, botimi i parë i kritikave të poezive të tij, “L’opera in versi”, një rast i rrallë për një poet ende të gjallë, që konfirmon rolin e jashtëzakonshëm të aritur tashmë në kulturën italiane.
1981
Botohet përmbledhja poetike “Altri Versi” që rimbledh tekste të pabotuara dhe publikime të tjera nëpër media të ndryshme. Në gusht shtrohet në klinikë, ku vdes në 14 shtator. Pas funeralit shtetëror në Duomo të Milanos, varroset pranë Drusila Tancit në varrezën “San Felice” në Ema të Firences.
1991
Dhjetë vjet pas vdekjes së tij, siç e kishte lënë amanet vetë, publikohet nga Mondadori, me përkujdesjen e Analiza Çima dhe Rozana Betarini, vëllimi i poezive të pabotuara “Diario postumo”, si rezultat i besimit dhe dhënies së rregullt të teksteve të pabotuara nga Montale vetë Çimës.


(Të dhënat biografike i përgatiti Hiqmet Meçaj)



Përktheu poezitë nga italishtja
Ben Meçe



ERË MBI GJYSMËHËNËN

Ura e madhe nuk çonte te ty.
Do të të kisha arritur edhe duke lundruar
nëpër fekale, me një urdhër tëndin.
Po dhe forcat, bashkë me diellin mbi kristale
verandash, shkonin drejt shterimit.

Njeriu që predikonte mbi zhvillimin
më pyeti “E di ku është Zoti?”. E dija
dhe ia thashë. Tundi kokën. U zhduk
në vorbullën që mori njerëz e shtëpi
e i ngriti lart, në paqe.

SHPESH NEVERINË E TË JETUARIT KAM TAKUAR


Shpesh neverinë e të jetuarit kam takuar:
ishte burimi i mekur që gurgullonte,
ishte vyshkja e gjethes
së tharë, ishte kali i shembur përtokë.

Mirë nuk dita, veç mbinormales
që lë pak hapur hyjnoria Indiference:
ishte statuja në gjumin
e mbasdites, dhe era, dhe skifteri i ngjitur lart.

***

Antik, tingulli dehur nga zëri
që del nga gojët tuaja kur hapen
si këmbana jeshile e rihidhen
mbrapsht, e shkrihen.
Shtëpia e verërave të mija të largëta,
të rrinte afër, e di,
atje në fshatin ku dielli digjte
e mjegullonin ajrin mushkonjat.
Si dikur sot në prezencën tënde gurëzohem,
det, po jo më i denjë
ndihem ndaj këshillave solemne
të frymëmarrjes tënde. Ti më ke thënë i pari
se i vogëlthi shqetësim
i zëmrës sime nuk ishte veçse një moment
i tëndes; që për mua në fund ishte
ligji yt rrezikues: të jesh i gjerë, i veçantë
dhe njëkohësisht i palëvizshëm:
Dhe të zbrazem nga çdo mbeturinë
siç bën ti kur përplas në breg
mes sfungjerëve, algave, e guackave,
plehrat e pavlefshme të thellësive të tua.
Kush ngjitës mban bashkë
këta katër gurë.

***

Mendoj ëngjëjt
të shpërndarë aty – këtu
që s’bien në sy
pa pendë, pa formë
të pavetëdishëm
injorues të aparencës së tyre
dhe tonës
edhe pse janë
një kundrapeshë më e fortë
se pika e Arkimedit
dhe në qoftëse askush s’i shikon
është sepse nevoiten të tjerë sy
që unë nuk i kam
por dhe nuk i dëshiroj.

E vërteta është në tokë
dhe këtë nuk mund ta dije
nuk mund ta doje
dhe sikur të duhet të na shkatërroje.

Kështu duhet shtirur
që ka diçka këtu
ndër këmbë, ndër duar,
as akt, as e kaluar
as e ardhme
dhe aq më tepër as mur
për ta kapërcyer
duhet shtirur
që levizja dhe statika
të kenë kuptimin
e jokuptimit
për të marrë vesh
që pika fikse është një kompleks
i hiçëzuar.

***

E vërteta është se jeta nuk shpjegohet
as me biologjinë
as me teologjinë.
Jeta është shumë e gjatë
edhe kur është e shkurtër
si ajo e fluturës –
jeta është gjithmonë e jashtëzakonshme
edhe kur toka nuk prodhon
asgjë.
E tmerrshme është lufta që bëhet
për ta kthyer në të kotë e të pamundur.
Nuk mbetet veçse zhytja
në inkoshiencë
farsa e fundit e teatrit tonë në mbyllje.
Do ta shpie në internim, a në litar
atë që e përkufizon apo e përballon. Dihet
që injoranca
është më se e mjaftueshme për të errësuar
errësirën.

***

Zbrita, dukë të dhënë krahun, të paktën
njëmilionë shkallë
e tani që nuk je më është bosh çdo
hap.
I shkurtër udhëtimi i jonë i gjatë.
Imi vazhdon akoma, as më duhen më
koiçidencat, prenotimet,
grackat, paturpësitë e atyre që besojnë
se realiteti është siç na prezantohet.

Zbrita duke të dhënë krahun
jo sepse me katër sy ndoshta
shikohet më shumë.
Më ty zbrita se e dija që ndër
ne të dy
të vetmet bebe, megjithëse
shikimturbullta,
ishin të tuat.

***

Ndoshta një mëngjes duke shkuar drejt një ajri
të qelqtë,
të thatë, do kthej kokën e do shoh si do ndodhë
mrekullia:
hiçin pas shpatullave, boshllëkun mbas
meje, më një tmerr prej të dehuri.

Pastaj si në një ekran,
do rreshtohen në distancë
pemë, shtëpi, kodra, gënjeshtra e zakonshme.
Por do të jetë shumë vonë; unë do iki
i heshtur
tek njerëzit që s’kthehen më, me
sekretin tim.

***

Rrotullohet rrota e pusit,
uji del në dritë dhe lëngëzohet.
Dridhet një kujtim në kovën plot,
në të përkryerin rreth një imazh qesh.
Mbështes fytyrën me buzët e fikura:
deformohet e kaluara, bëhet plakë,
i përket një tjetri…
Ah ja ku ankohet
rrota, të dhuron në fundin tjetër,
vizion, një distancë na ndan.

***

Eshtë qesharake të besosh
që njerëzit e nesërm
mund të jenë njerëz,
qesharake të mendosh
që majmuni të shpresojë
të eci një ditë
mbi dy këmbë.

Eshtë qesharake
të hipotekosh kohën
dhe gjithashtu është
të imagjinosh një kohë
të ndarë në shumë kohë

dhe sidomos
të supozosh që diçka
ekziston
jashtë ekzistencës,
vetëm kjo shikohet
nga të ekzistuarit.

***

Lumturi e plotë, ecet
për te ty mbi fillin e briskut.
Syrit i je dritë e zbehtë që lëkundet,
këmbës i je akull i rrezikshëm që thyhet;
kështu pra, të mos të të prekë ai që më shumë e do.

Kur arrin në shpirtrat e pushtuar
nga trishtimi dhe i kthjellon, mëngjesi yt
është i ëmbël e mallëngjyes si foletë
e zogjve.
Po asgjë mund të paguaj të qarën e fëmijës
kur topi i humbet shtëpive.

Mos më kërko fjalën që nuk kuadron
nga asnjë anë
kurajua jonë pa formë dhe me shkronja
të zjarrta
deklaroje e ndriçoje si një luleverdhë
e humbur në një lëndinë
tërë pluhur .

Ah njeriu që jeton i sigurtë,
mik i të tjerëve dhe i vetvetes
as hijen e tij nuk ruan se zagushia
ja stampon në një mur të rënë suvaje!

Mos ma kërko formulën që botët
mund të të hapë,
ji një rrokje e shtrembër dhe e tharë
si bujashkë.
Vetëm këtë mund të të dëftejmë sot,
çka nuk jemi dhe çka
nuk duam.

***

Lavdi e gjumit të mbasdrekës
kur as pemët nuk bëjnë hije
e për më shumë kur shfaqen rreth e rrotull
nga drita e tepërt, të verdhat shëmbëllime.

Dielli, atje lart, - shtrat lumi i tharë.
Dita ime ende s’ka mbaruar
matanë, muri, orët e bukura
mbyll në një perëndim të zbehtë e të praruar.

Përvëlim rreth e rrotull: një zog peshkatar
mbi një relike jete rrotullohet
shiu i mbarë është mbas gufosies
e ndërsa pres, lavdi gjumit që afrohet.

***

Një pëllumb i bardhë më zbriti
tek yjet, poshtë origjinave ku qielli
ka folenë. Agime e dritëra në pritje: kam dashur diellin,
ngjyrën e mjaltit, flori kërkoj të errëtin,
kërkoj zjarrin që e ngroh jetën, këtë varr
që nuk fluturon, shikimin tënd që sfidon.

***

Kam shumë besim te ty
dhe do vazhdojë
(është budallallëku që të thashë
një ditë)
derisa një vetëtimë nga e përtejmja
të shkatërrojë
këtë rrëpirë të pafundme ku
jetojmë.
Do të takohemi atëherë nuk e di,
në ç’pikë
po ka kuptim fjala pikë kur s’ka
hapësirë
e do diskutojmë për ndonjë varg
të shumëkuptimtë
të hyjnores poemë.

E di që jashtë të parit e të prekurit
nuk është jetë e mundur, po pasjetë,
ndoshta fytyra tjetër e vdekjes
se e mbajtëm të mbyllur në vetvete
për vite e vite.

Kam shumë besim te vetja
e ndeze ti padashur
pa e ditur që në çdo karkasë
të jetës ka një truk
që nuk e njohim dhe na ka zënë
pritë, ne të shpërndarëve e të pazotëve
për ti dhënë kuptim.

Kam shume besim që do më djegë: po
kush do më shohë do thotë është njeri prej hiri
pa e kuptuar se është rilindje.

***

Më sill lulediellin ta mbjell
në baçen time të djegur nga kripërat,
e ti dëftejë gjithë ditën të kaltrave
pasqyra
të qiellit, ankthin e fytyrës së saj të verdhë.

Tentojnë qartësinë gjërat e errëta,
shkrihen trupat në ujëvarë
ngjyrash: këto në muzikë. Të shuhesh
qënka fati i fateve.

Sillma ti lulen që të shpie
tek burimet e transparencave bionde
ku jeta esencat avullëzon;
sillma lulediellin e çmendur për dritë.

***

Ja shenja; merr jetë
mbi murin që arzohet;
një palmë si e gdhendur
e djegur nga vezullimi verbues
i agimit.
Hapi që vjen
nga serrat, bëhet i papeshë
nuk është i kadiftë nga bora
është akoma
jeta jote, gjaku yt
në venat e mia.
 
Top