• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Fatos Mero Rrapaj

edlin

V.N.P
Anëtar
Apr 22, 2010
Postime
12,442
Pikët
113
Arsimin fillestar e mori në fshatin e lindjes. Që në moshë të vogël doli partizan, por pas çlirimit të vendit, u arrestua dhe u burgos nga regjimi komunist për qëndrimin dhe pikëpamjet e tij nacionaliste. Kjo e bëri të punonte në punë të rëndomta deri sa doli në pension.

Të njohur në qarqet akademike dhe artistiko-letrare shqiptare e bëri vëllimi 800-faqësh “Këngë popullore të Çamërisë” i botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në vitin 1983, me recensë dhe parathënie të shkrimtarit Ismail Kadare.

Ka bashkëpunuar me shumë nga organet letrare shqiptare për botimin e shkrimeve të tij, veçanërisht me revistën “Krahu i shqiponjës” si dhe gazetat “Drita”, “Kosova” e “Çamëria”. Ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA). Pjesa më e madhe e veprës së tij ka mbetur në dorëshkrim: “Proza popullore e Çamërisë”, me rreth 3000 faqe, “Fjalori onomastik i Epirit në zhvillim”, “Këngë e prozë popullore nga Kosova, Mirdita, Kruja, Kosturi e Follorina”, “Doke e zakone nga Çamëria”, “Fjalë të urta nga Korça e Dibra”, “Anekdota popullore” në pesë vëllime etj.
 

edlin

V.N.P
Anëtar
Apr 22, 2010
Postime
12,442
Pikët
113
ENERGJIKU FATOS M. RRAPAJ

Fatos M. Rrapaj lindi më 6 korrik të vitit 1930 në fshatin Gumenicë të Vlorës. Ai është folklorist, etnograf, studiues dhe shkrimtar.

Arsimin bazë Fatosi e mori në fshatin e lindjes. Që në moshë të vogël doli partizan dhe me armë në dorë mori pjesë aktive në luftën kundër forcave nazifashiste. Megjithatë, pas çlirimit të vendit, u arrestua dhe u burgos nga regjimi komunist për qëndrimin dhe pikëpamjet e tij kundër nacionalizmit e shovinizmit sllavo-grek.

Tërë jetën, deri sa doli në pension, Fatosi ka punuar në punë të ndryshme të zakonshme, sepse talenti dhe aftësitë e tij mbetën të pavlerësuara nga strukturat drejtuese të ish diktaturës komuniste. Megjithatë ai është karakterizuar nga një energji e jashtëzakonshme në punën e tij kërkimore, si të ishte akademik e kaluar akademikëve. Jo më kot e thërrisnin edhe "Energjiku" miqtë e tij.

Fatos M. Rrapaj, që kur ishte nxënës në shkollën e fshatit, në periudhën kur ishte partizan e më vonë, gjatë tërë jetës, i është përkushtuar me mish e me shpirt mbledhjes së vlerave folklorike, onomastike e etnografike të të gjithë trojeve shqiptare, sidomos atyre të Çamërisë.

Ka botuar disa libra, por të njohur në qarqet akademike e elitat shoqërore e artistiko-letrare shqiptare, e bëri vëllimi me rreth 800 faqe "Këngë popullore të Çamërisë", i botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në vitin 1983, me recensën dhe parathënien e shkrimtarit të madh Ismail Kadare.

Ka bashkëpunuar me shumë nga organet letrare shqiptare për botimin e shkrimeve të tij, veçanërisht me revistën "Krahu i shqiponjës" si dhe gazetat "Drita", "Kosova" e "Çamëria". Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Pjesa më e madhe e veprës së tij ka mbetur në dorëshkrim si: "Proza popullore e Çamërisë", me rreth 3000 faqe, "Fjalori onomastik i Epirit në zhvillime", Këngë e prozë popullore" nga Kosova, Mirëdita, Kruja, Kosturi e Follorina, "Doke e zakone nga Çamëria", "Fjalë të urta nga Korça e Dibra", Anekdota popullore" në pesë vëllime etj., etj.

Titujt e veprave kryesore që studiuesi Fatos M. Rrapaj ka botuar nëpër vite janë:

1. "Te Sheshi i Flamurit", me këngë popullore labe, Tiranë, 1972

2. "Këngë popullore të Çamërisë" , Tiranë, 1983

3. "Këngë popullore të Labërisë", Tiranë, 1991

4. "Rënkimet e Çamërisë", tregime pellazgo-ilire e këngë çame, Tiranë, 1995

5. "Fjalori onomastik i Epirit" I, Tiranë, 1995

6. "Këngë popullore të ndaluara", Tiranë, 1996

Elim Xanxari

Marrë nga libri "Diplomaci në kufi vetëmohimi" (Zhvillime të çështjes çame), i autorit Shefki Hysa, Tiranë, 2008.
 

edlin

V.N.P
Anëtar
Apr 22, 2010
Postime
12,442
Pikët
113
Gëzim Zilja: Fatos Mero Rrapaj, ylli që nuk shuhet kurrë
Nga
Gazeta Telegraf

Në 06.07.1930 lindi në fshatin Gumenicë të Vlorës, Fatos Mero Rrapaj një nga ata njerëz të rrallë që në kushte të vështira ndoqi pa u lodhur qëllimin që i kishte vënë vetes: grumbullimin dhe dokumentimin e këngëve të Jugut veçanërisht të krahinës së Çamërisë. Vepra e tij e plotë përmbledh mijëra faqe me këngë të dëgjuara e kënduara, po kurrë të botuara e dokumentuara më parë. Në to përfshihen:
“Te Sheshi i Flamurit” përmbledhje me këngë labe 1972
“Këngë popullore të Çamërisë”, 1983, Tiranë
“Këngë popullore për Labërinë”, Tiranë, 1991
‘Rënkimet e Çamërisë” tregime pellazg-ilire e kënge çame, Tiranë 1995
“Fjalor Onomastik i Epirit” Tiranë, 1995
“Këngë popullore të ndaluara” Tiranë 1999

Kam qenë i ri kur një nga miqtë e mi, në një nga rrugicat e Skelës me popullsi të shumtë çame më tregoi, një mesoburrë, hipur mbi një biçikletë copë-copë në skarën e së cilës ishin vendosur ca dosje kartoni. – Është Fatos Mero Rrapja,- më tha. Shkon nga shtëpitë e çamëve dhe mbledh këngë folklorike të pleqtë e vjetër. Nuk i vura shumë rëndësi, megjithëse kisha dëgjuar dhe të tjerë që e përmendnin. Më vonë, kur më ra në dorë një libër i tij kuptova se çfarë kishte bërë ai njeri për kombin e tij, pa ndihmë, pa përkrahje, fill i vetëm, por i ndërgjegjshëm që po i rikthente e dokumentonte Atdheut, florinjtë e margaritarët e folklorit shqiptar, ashtu si dikur Shimi Mitkoja e Spiro Dineja. Vetëm në dy librat e tij “Këngë popullore nga Çamëria 1983” dhe “Këngë popullore të Labërisë viti 1991” janë plot 1917 këngë, ku janë pasqyruar vërtetësisht burimet nga janë marrë, emrat e pleqve, plakave, burrave e grave, të shkolluar dhe të pashkolluar nga popullsia çame dhe e Jugut të Shqipërisë. Për çdo këngë të botuar e mbledhur ai ka vendosur emrin e njeriut që ia ka diktuar, burimin e këngës e fshatin ku ishte kënduar së pari. Në libër sqarohet çdo fjalë e vjetër shqipe me prejardhja nga greqishtja, serbishtja ose turqishtja. Për epikën historike ai do tu referohej autorëve shqiptarë e të huaj duke gjetur një përputhje gati matematike midis këngëve historike dhe dokumenteve të kohës. Këto të dhëna ai i ka shkruar për çdo këngë sidomos për ngjarjet historike. Nuk di nëse do të kishim sot heronjtë zulmëmëdhenj të Jugut me gjithë ato fakte e detaje deri te “armët e lara me flori, e jelekun qëndisur me zogj” nëse do të mungonin këngët për Zylyftar Podën, Canë Miftarin, Tafil Buzin, Zenel Gjolekën, Rrapo Hekalin, Dervish Ali Dukatin, Balil Nezhën, Hodo Aliun e dhjetëra e qindra të tjerë shokë e bashkëluftëtarë të këtyre heronjve. Madhështore janë këngët për kaçakët e famshëm si Shemo Kasua, apo Bilbilenjtë.
Lidhja e famshme e Prizrenit me figurat e saj të pavdekshme do të gjejë një vend të posaçëm në këngët folklorike. Të bën përshtypje kënga për Abdyl Frashërin që jo vetëm jep madhështinë e tij si politikan e atdhetar por vërteton plotësisht, se ai jo vetëm e shiti pasurinë por jepet dhe çmimi i shitjes dhe emrat e atyre që e blenë. Ia vlen t’i shkruajmë disa nga këto vargje botuar në “Këngë popullore të Labërisë:”

O Avdul, ç’mënde që pate
Që shite ç’pate e ku pate
Me çifliqe e me irate
Shote Kallmin Myzeqe
Mustafa Begës ia dhe
Qysh e dhe o derëzi
Për një karroqe flori?…
Avdul Frashër, Avdul Be
Po Zvërnecin kujt ia dhe?
E bleu Dalan Kanina
Për dy karroqe stërlina.
I dhashë për Shqipëri
Ta gëzojmë un e ti.


Perla të tilla gjen kudo në përmbledhjen e Fatos Mero Rrapajt. Ka aty këngë për fëmijë, këngë dashurie, këngë për bukurinë, për natyrën . Këngët e vajit ku gruaja qan burrin, nëna djalin, për nga bukuria, madhështia dhe dhimbja është e pamundur të mos tronditin, të bëjnë, të dridhet trupi deri në qelizë nga emocionet që të krijojnë. Po jap më poshtë disa kujtime nga miq e shokë të Fatos Mero Rrapajt, për ta plotësuar këtë shkrim të shkurtër pa shumë pretendime:

Lame Fandi shkrimtar: Unë e kam gjithnjë të pandryshuar përpara syve portretin e tij. Nuk kam parë kurrë tjetër njeri me madhështi të mbuluar tërësisht nga modestia, madje të tretur krejt me të. Te gjithë ishim të ndërgjegjshëm që ishte njeri i madh edhe pse na shfaqej gjithnjë si i përulur ( me saktë i mposhtur ) nga urtësia e vet. Ia kishin nxirë jetën, po ishte gjithmonë i qeshur dhe me shumë dritë në sytë, ndërsa te buzët, të qeshurën e kishte të përzier me mjaltë. Poetreti i Fatos Mero Rrapajt nuk qëndron dot i varur në mure institucionesh. Ai vjen shpesh me ty dhe të kujton se nuk është nje pikë në oqean, por një oqean brenda një pike vese mëngjesi.
Arian Daupi Intelektual: Fatos Mero Rrapajn unë kam patur fatin e madh ta kem njohur nga afër dhe e di se ç’punë kolosale ka bërë ky intelektual për mbledhjen e Folklorit të Jugut veçanërisht të Çamërisë. Nuk di për fatin e gjithë asaj pune.
Stefan Basko muzikant: Fatos Mero Rrapja duhet të ketë një vend nderi në historinë e folklorit Shqiptar! Ishte një folklorist i lindur i papërsëritshëm dhe punoi e sakrifikoi në kushtet e një represioni të paimagjinueshëm nga diktatura!!
Vigjilent Xhaferaj mjek: Fatos Rrapajt, ishte njeri, me veprimtari të jashtëzakonshme. Edhe pse bëri një punë kolosale dhe evidentoi e dokumentoi vlera të jashtëzakonshme, folklorike, gjuhësore, historiografike, në fushën e toponomastikës në gjithë trevat shqiptare , ai u përndoq e u persekutua nga sigurimi i shtetit dhe diktatura. Nga mesi i viteve 70-të u bë Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, me ndërhyrjen e veçantë të Kryetarit të saj, shkrimtarit Dritëro Agolli. Në kushte mjaft të vështira, duke punuar roje në stallën e lopëve të fermës “Fitore”, grumbulloi e dokumentoi vlera, të cilat do të kishin humbur bashkë me bartësit e tyre, që ai i qëmtoi si bleta dhe prodhoi mjaltë që do të rroje sa të ketë Botë Shqiptare. Ishte Gumeniciot dhe Himariot dhe kjo në bashkëfshatarët e tij na bën krenar. U vlerësua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “ Mjeshtër i Madh “, me propozimin e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Gumenica “ kryetar i së cilës isha dhe jam dhe të Shoqatës “Çamëria.” Vepra e tij vlerësohet me mbi 50 000 faqe . I paharruar qoftë kujtimi dhe vepra e tij!
Pilo Mataj Vlorë, mësues: Feti Mero Rrapaj (Fatos) ka banuar disa vite në fshatin “Fitore” si roje nate te lopët, por ai nuk e la kurrë punën për mbledhjen e folklorit. Ky njeri kokulur, lejen e zakonshme e kalonte duke shkuar fshat me fshat me pleqtë e plakat e komunitetit çam dhe atij të Jugut, duke na lënë një vepër të madhe, që nuk ka për t’u harruar kurrë.
Somario
Fatos Mero Rrapaj ishte një nga ata njerëz të rrallë që në kushte të vështira ndoqi pa u lodhur qëllimin që i kishte vënë vetes: Grumbullimin dhe dokumentimin e këngëve të Jugut, veçanërisht të krahinës së Çamërisë
 

edlin

V.N.P
Anëtar
Apr 22, 2010
Postime
12,442
Pikët
113
Libri: – Fatos Mero Rrapaj, Këngë popullore nga Çamëria, , Tiranë 2019, 750 f. Botim i Dyte. –

Libri: – Fatos Mero Rrapaj, Këngë popullore nga Çamëria, , Tiranë 2019, 750 f. Botim i Dyte.
Libri “Këngë popullore nga Çamëria” zbulon për herë të parë thesaret e traditës dhe të kulturës çame. Botimi i parë i kësaj vepre i përket vitit 1983, kur u botua nga Instituti i Kulturës Popullore, i cili asokohe ishte në varësi të Akademisë së Shkencave.
Botimi i pare shoqerohet me parathenie nga Ismail Kadareja.
Ribotimi i veprës ka vlerë të veçantë për rëndësinë e madhe që kanë këngët në ruajtjen e një tradite të pasur kulturore për t’u përcjellë në breza të mëpasshëm, në mënyrë që kultura të mos rrezikojë të fshihet apo të harrohet. Tradita kulturore e Çamërisë i përket jo vetëm popullsisë çame, por të gjithë Shqipërisë, prandaj është një pasuri e vërtetë kombëtare.
Ribotimi i veprës si një akt po aq patriotik, sa dhe letrar, i jep rëndësi edhe forcës emocionale që ka muzika në përcjelljen e ngjarjeve, dhimbjes, por dhe vlerave të këtyre këngëve. Këngët çame nuk kanë qenë vetëm prodhim i një letërsie folkloristike e popullore, një krijim anonim, ato kanë qenë gjithashtu produkt i një letërsie artistike dhe të kultivuar.
Botimi i parë i kësaj vepre është ndër përmbledhjet më të mëdha të folklorit dhe të kulturës çame.
 

edlin

V.N.P
Anëtar
Apr 22, 2010
Postime
12,442
Pikët
113
IMG_20210107_140349.jpg

Sa plakë e mirë ishte Jazja, na jepte gjithmonë fiq e kumblla ne kalamajve, rahmet pastë.
I helmua në pleqëri lumadhja, ju mbyt në det djali i vogël dhe trupin nuk ja gjetën kurrë
 
Top