• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Imam Gazaliu k.v.

ymer prizreni

Anëtar i ri
Anëtar
Jul 1, 2011
Postime
1,873
Pikët
0
Ebu Hamid el-Gazali (450/505 – 1058/1111)

Emri i plotë i El-Gazaliut është Ebu Hamid Muhammed bin Muhammed El-Gazali. Ka lindur në Tus të krahinës së Horasanit në Persi më 1058.

I ati i tij ishte i varfër në pikëpamje materiale, por shumë i pasur në shpirt. Jetesën e fitonte duke bërë pëlhurë dhe nga ky zanat e mori edhe mbiemrin El - Gazali(pëlhurëendës).

Historia flet shumë pak mbi jetën e babait të El-Gazaliut. Por, na informon se kishte një dashuri të veçantë për dituri dhe respekt të posaçëm për dijetarët; nuk ngurronte kurrë t’u shërbente për të fituar simpatinë dhe bekimet e tyre. I ati i El-Gazaliut e kishte bërë traditë që saherë që dëgjonte ndonjë vaiz (predikues) të mire t’i lutej All-llahut duke thënë: “O All-llah! Më dhuro një djalë që të bëhet vaiz i madh dhe dijetar i njohur!”

Si duket Ebu Hamidi e trashëgoi këtë dashuri për dituri nga i ati, me ndryshim se pati mundësi të pajisej vetë me të, gjë që i mungoi babait të tij. El-Gazaliu që në fëmijëri tregoi një zell të madh për mësim dhe durim të pashoq për të studiuar. El-Gazaliut i vdiq i ati duke qenë ende fëmijë bashkë me të vëllain e tij Ahmedin.

Këta mbeten nën kujdesin e një sufiu të varfër që qe mik i ngusht i babait të El-Gazaliut, të cilit i dha një pasuri të vogël duke thënë: “Dëshira ime më e madhe ka qenë që të mësoj, por unë nuk e pata këtë fat, por prej teje dëshiroj që ta plotësosh këtë dëshirë tek fëmijët e mi”.

Sufiu e plotësoi këtë dëshirë të mikut të vet, duke u kujdesur për rritjen e El-Gazaliut me të vëllanë si në pikëpamje kulturore ashtu edhe morale. Por, nuk shkoi shumë e pasuria e vogël që e kishte lënë i ati u mbarua e sufiu nuk qe në gjendje t’i ushqente, prandaj, një ditë iu tha:“Dinie e bijtë e mi se pasuria juaj që kishit u mbarua, unë jam një fukara e nuk kam pasuri që t’ju ushqej, prandaj duhet të shkoni në një shkolllë”. Këtu duhet shënuar që shkollat muslimane qenë të parat që u jepnin bursa studentëve të varfër, domethënë i strehonin dhe i ushqenin falas.

El-Gazaliu kaloi disa kohë në një shkollë fetare në qytetin e tij, por nga fakti se ai dëshironte të të pajisej më tepër me dituri e dijetarët ishin të pakët në këtë qytet, vajti në Xhurxhan ku u bë student i një dijetari të mirënjohur me emrin Ebu Nasr El-Ismail.

Në Xhurxhan mbante shënim gjithë çka dëgjonte nga mësuesi i vet, por si duket mjaftoi me kaq, pa përfituar intelektualisht nga shenimet… Këtë gjë na e tregon vetë El-Gazaliu, në një pjesë të veprës së tij që e quajti “Shpëtimtari nga humbja” (El-Munkidhu min’ed-dalal), e që mund të quhet biografia e vet kulturore, me këto fjalë:“Kusarët na prenë udhën dhe m’i morën gjithë ç’kisha me vehte dhe ikën. Unë i ndoqa dhe e arrita të parin e tyre, i cili më tha: “Kthehu, o i mjerë, në dash të shpëtosh lëkurën”!

Unë i thash: “Të lutem, për hirë të Atij që të ka në dorë jetën, të ma kthesh çantën e vogël në të cilën kam gjëra që nuk të hyjnë ty në punë! “Më tha: “Ç’ke në te?” Iu përgjigja: “Kam në të disa defterë në të cilët kam shënime, emigrova për t’i dëgjuar dhe shkruar, me to mësoj shkencat e ndryshme”.

U shkreh së qeshuri me të madhe kryehajni dhe më tha: “Nuk i paske mësuar shkencat çka përmbajnë? Si duket kur ta morëm çantën ti u zhveshe nga dituria dhe mbete pa mësim!” Pastaj urdhëroi njërin prej shokëve të tij dhe ma dorëzoi çantën.

Kjo ngjarje la një përshtypje të thellë në shpirtin tim dhe i thashë vetes: “Këtë ma dërgoi All-llahu për të më udhëzuar!”, dhe kur arrita në Tus iu përkushtova me shpirt studimeve për tri vjet rresht gjersa arrita në atë shkallë që po të vidheshin defterët nuk do të zhvishesha nga dituria”.

Tash El-Gazaliu ka arritur moshën njëzetvjeçare. Shkoi në Nisabur që ishte një qendër kulturore islame dhe u regjistrua student në medresenë En-Nidhamijeh, nën profesorin famëmadh Imamu’l-Haremejnin, Xhuvejniun, intelektualin më të madh të kohës së tij.

El-Gazaliu ishte i pajisur me një kujtesë të jashtëzakonshme, zgjuarësi të rrallë, durim të pashoq për të hetuar dhe studijuar, kështu që nuk shkoi shumë e El-Gazaliu u çmua si studenti më i aftë i këtij profesori të famshëm, nën kujdesin e të cilit studioi prej vitit 1078 e gjer me vdekjen e mësuesit të tij më 1086. Gjatë kësaj kohe fama e El-Gazaliut kishte marrë dhenë.

Kryeministri Nidhamu’l-mulk, që ishte i mirënjour për dashurinë që kishte për diturinë dhe respektin që kishte për dijetarët, dërgoi dhe e thirri El-Gazaliun në Bagdad dhe pas një bisedimi të gjatë që pati me të, duke e çmuar për diturinë e madhe që zotëronte, e emëroi si kanonist dhe teolog me rrogë në pallatin e tij.

Në vitin 1091 e zgjodhi për të dhënë mësime në Kolegjin Nidhamije të Bagdadit që ishte një ndër qendrat më të njohura kulturore të asaj kohe. Kjo ishte detyrë që lakmohej nga të gjithë dijetarët e famshëm të kohës, kurse u jepej vetëm atyre që ishin shumë të shquar në fushën kulturore.

El-Gazaliu e përmbushi shumë mirë misionin me të cilin u ngarkua, studentët derdheshin si uji në klasët e tij në degët e ndryshme të kulturës së njohur atëherë, sa që arriti të kishte më tepër se 300 studentë. Shumë dijetarë trokitnin portën e tij për të diskutuar probleme të ndryshme shkencore dhe për të marrë mendimet e tij.

El-Gazaliu kaloi katër vjet si profesor në këtë kolegj, fama e tij nga dita në ditë shtohej; por, edhe filloi të bëhej skeptik, dhe në mbarim të katër vjetëve arriti kulmin e dyshimit, jo vetëm në teologji por edhe në çdo degë tjetër të kulturës dhe të filozofisë.

Nuk i bëhej më të jepte mësime dhe pa pritur, në vitin 1095 e la detyrën e profesorit, la qetësinë që gëzonte nga ofiqi i tij, u nda nga familja dhe shkoi duke u endur qytet më qytet për të gjetur prehjen shpirtërore dhe qetësinë mendore, duke e kaluar kohën në lutje dhe meditacion.Shkoi në Jerusalem, Aleksandri, Damask, dhe kreu detyrën e haxhillëkut në Mekke, sikundër vizitoi edhe Medinën.

Gjatë kohës së dyshimit u mor me shkrime, përveç kësaj studioi me premi teologjinë dhe çdo degë të fesë, filozofinë që njihej atëherë si dhe sufizmin me anë të të cilit gjeti qetësinë shpirtërore që kërkonte dhe prehjen mendore.

Duke folur mbi zhdukjen e e dyshimit në këtë periudhë të jetës së tij, El-Gazaliu në biografinë e tij “Shpëtimtari nga humbja”, pasi flet për periudhat e ndryshme që kaloi gjatë jetës së tij të dyshimit, tregon se shpëtimi nga errësira e dyshimit dhe dalja në dritën e besimit nuk i erdhën nga provat dhe argumentet ” …por nga Drita që All-llahu shkaktoi të depërtonte zemrën time. Dritë që shkëlqeu hyrjen në të gjitha dituritë. Të mendojmë se sigurimi vjen vetëm duke u bazuar në argumente formale është të kufizojmë mëshirën e pafund të All-llahut.”

Pasi El-Gazaliu doli nga errësira e dyshimit në dritën e besimit me ndërmjetësinë e përvojës sufiste, u mor edhe disa vjet me mësim në qytete të ndryshme. Përvojën e tij filloi ta hedhë në letër, duke shkruar libra të ndryshme, përveç atyre që i kishte shkruar më parë në teologji,moral dhe jurisprudencë.

El-Gazaliu thoshte për veten e tij:”Nuk e lëshoja kurrnjë batinije, e të mos dëshiroja të njoftohesha me ezoterizmin e tij, as ndonjë zahirije, e të mos nxitoja të kuptoj esencën e egzoterizmit të tij,as ndonjë filozof,e të mos detyrohesha të hyja në thelbin e filozofisë së tij, as ndonjëmutekelim, e mos të angazhohesha të u dhëzohem në dialektikat dhe shqyrtimet e tij, as ndonjë sufist e të mos gjakoja të zbuloj sekretin e misticizmit të tij, as ndonjë shprestar e të mos tentosha të sodisja se si është duke ndikuar në të devocioni i tij, as heretikun i cili refuzon Cilësitë e Zotit, e mos të vështroja fshehurazi prapavinë e besimit të tillë, në mënyrë që t'i diktoja shkaqet e mohimit të turpshëm të tij të Cilësive të Zotit dhe shkaqet e herezisë së tij.

Etja për të kuptuar thelbin e gjërave ishte cilësi e imja dhe zakon i imi që nga fillimi, që nga rinia më e hershme. Ishte ky instinkt pa zgjidhjen dhe pa përsiatjen time, gjithnjë gjersa në mua nuk u dobësuan shtrëngesat e imitimit në fe dhe nuk u thyen besimet e trashëguara, atëherë kur iu afrova kohës rinore.

Sepse, e shihja se fëmijët e të krishterë rriteshin kurdoherë në krishterim, fëmijët hebrenjë rriteshin vetëm në judaizëm, e fëmijët myslimanë në islamizëm. E kam dëgjuar një traditë mbi Pejgamberin e Zotit -bekimi dhe paqja e Zotit qofshin mbi të! - në të cilën thuhet: "Secili që lind, lind i tillë çfarë e ka krijuar Zoti, e prindërit e bëjnë atë hebrej, ose të krishter, ose mazdej."
 

ymer prizreni

Anëtar i ri
Anëtar
Jul 1, 2011
Postime
1,873
Pikët
0
Përgjigje e: Imam Gazaliu k.v.

Qenia ime e brendshme u dha në hulumtim të esencës të së vërtetës burimore nga Zoti dhe esencës së besimit të modifikuar duke i imituar prindërit dhe mësuesit, dhe në hulumtimin e dallimeve mes besimeve të lindura nga imitimi. Parimet e tyre janë nxitëse (stimuluese), ndërsa në dallimin e të vërtetës nga gënjeshtra tek ata ekzistojnë mospajtime.

Dhe i thash vetes:"Së pari, caku im është të fitoj dijeni mbi esencën e gjërave.
Domosdo, pra duhet ta hulumtoj esencën e gjërave! E ç'është ajo?"
Mu bë e qartë se është e saktë vetëm ajo dijeni në të cilënzbulohet njohuria duke mos lënë kurrfarë dyshimi, dhe krahas së cilës nuk ekziston mundësia e njimtimit dhe e gabimeve.

E diç të tillë intelekti ynë nuk është në gjendje të arrijë. Sepse, siguria nga gabimet duhet të jetë e krahasueshme me vërtetësinë dhe t'i reziston argumentimit të përgënjeshtrimit, kështu që, sikur dikush ta shndërronte gurin në ari e shkopin në gjarpër, kjo megjithatë nuk dotë shkaktonte as dyshim as mohim.

Kështu,unë e di se dhjetë është më shumë se tre,e nëse dikush më thotë: "Jo, tre është më shumë se dhjetë, e si argument është ajo se këtë shkop do ta shndërroj në gjarpër", dhe para syve të mi ai me të vërtetë e bënë këtë, megjithatë, për shkak të kësaj nuk do të dyshoj në atë që e di; nga kjo do të rezultonte vetëm ajo se do të mrekullohesha me një fuqi të tillë, por assesi nuk do të dyshoja në atë që e di.

Pastaj, vërejta se çdo gjë që nuk e di në këtë mënyrë, dhe në çka nuk jam i sigurt me atë lloj vërtetësie, është dijeni e luhatshme dhe e pasigurt, e kurrnjë dijeni e pasigurt nuk është dijeni e vërtetë.

Libri më i madh dhe më i famshëm i El-Gazaliut është “Ihja`u ulum’id-din” (Përtërirja e diturive fetare), në disa mijë faqe dhe deri tash dhjetra botime të ndryshme në vende të ndryshme.

Dy pjesët e para të këtij libri flasin mbi formën e jashtme të ibadeteve (lutjeve), kurse dy pjesët e fundit flasin mbi natyrën e brendshme të fesë. Çdonjëra nga këto katër libra përmbajnë në vete nga dhjetë libra. Stili është madhështor, gjuha e lehtë dhe mund të kuptohet edhe nga fillestarët. Kjo vepër me të vërtetë është kryevepër, sidomos në pikëpamje të karakterit njerëzor dhe të etikës.

Për librin ”Përtrirja e diturive fetare” disa nga dijetarët muslimanë kanë thënë: ”Po të zhduken të gjitha librat e shkruara mbi fenë islame, do të ishte një humbje e vogël, me kusht që libri i El-Gazaliut ‘Përtrirja e diturive fetare’ të ruhej”.

Dy vepra të tjera që janë me famë në botën oksidentale dhe që shkaktuan një rrebesh kundërshtimesh ndër filozofët janë: Mekasidu’l-felasifeh (Synimet e filozofëve) dhe Tehafut’ul-felasifeh (Vetë¬shk¬atërrimet e filozofëve).

I dyti përmban një kritikë të rreptë ndaj sistemeve filozofike të ndryshme të shpjeguara në librin e parë. El-Gazaliu vetë pohon se librin e parë e shkroi me qëllim që t’i paraqiste lexuesit materialin të cilin do ta kritikonte në librin e tij të dytë.Pak kohë më vonë filozofi Ibn Rushd refuzoi botëkuptimin e El-Gazaliut mbi filozofinë me librin e tij Tehafut’ut-tehafut (Vetëshkatërrimi i vetëshkatërrimit) duke hedhur poshtë idetë e El-Gazaliut mbi filozofët.

Në kohën e El-Gazaliut intelektualët muslimanë ishin ndarë në dy kampe: sufitë dhe juristët, të cilët ishin në luftë të rreptë. El-Gazaliu me shkrimet e tij arrinë t’i zhduki kundërshtimet e mëdha dhe t’i afrojë të dy kampet.El-Gazaliu vdiq në vendlindjen e tij, ku kaloi vitet e fundit të jetës me lutje e shkrime – ditën e hënë me 19 dhjetor 1111.

I vëllai i tij, Ahmedi, duke folur mbi vdekjen e të vëllait, Ebu Hamidit thotë: ”Të hënën mbrëma vëllai im mori abdes dhe u fal. Pastaj tha: ”Ma sill qefinin!” të cilin e mori dhe e puthi, ngriti sytë e tij lartë duke thënë: ”Unë dëgjoj dhe i bindem urdhërit të shkoj te All-llahu”. U shtri në shtrat dhe ia dorëzoi shpirtin Krijuesit të tij, vajti e takoi Perëndinë e Lartë”.

Kështu vdiq El-Gazaliu në paqë, mbasi u përpoq të gjejë paqën dhe e gjeti në lutje dhe dashuri. Lutje vetëm një Zoti dhe dashuri për të dhe për tërë njerëzimin pa dallim feje a race ...

El-Gazaliu ishte kanonist, jurist i lirë, teolog, prijës i ehli sunnetit, mbrojtës i idesë së tyre; El-Gazaliu sociolog i specializuar për gjendjen e njerëzimit, fshehtësitë e ndërgjegjjes dhe sekretet e shpirtit; El-Gazaliu filozof që luftoi filozofinë; El-Gazaliu edukator; El-Gazaliu sufi ose po të duash thuaj, kur kujtohet El-Gazaliu, të shkon mendja tek burri që ishte enciklopedia e diturive të shekullit të tij”.
 

ymer prizreni

Anëtar i ri
Anëtar
Jul 1, 2011
Postime
1,873
Pikët
0
Përgjigje e: Imam Gazaliu k.v.

Vërtetësia e Pejgamberizmit dhe nevoja e të njerëzve për te.

Dije se qenësia e njeriut, në krijim e vet burimor nga Zoti,është krijuar e pastër, e thjeshtë dhe pa dijeni mbi cilësitë e Zotit të Lartmadhërishëm. E, ekzistojnë shumë botëra, dhe askush nuk mund t'i numëroj ato përveç Zotit të Lartmadhërishëm, siç është thënë: "...Askush tjetër, përveç Tij, nuk e di numrin e ushtrisë së Zotit tënd..."

Njeriu e njeh botën përmes vrojtimit, e çdo vrojtim është krijuar që njeriu me anë të tij të kuptojë ndonjë njëmendësi rrojtëse.
Me botëra nënkuptojmë krijesa të llojllojshme.
Më së pari që krijohet tek njeriu është shqisa e të prekurit.
Me të njeriu vërenë krijesa të llojllojshme, siç janë të nxehtit e të ftohtët, lagështira dhe errësira, njomësia dhe vrazhdësia. Mirëpo shqisës së të prekurit i ikën ngjyrat dhe tingujt; në njëmendësinë e saj ato nuk ekzistojnë.
Pastaj krijohet shqisa e të pamurit. Me të njeriu vërenë ngjyrat dhe format, dhe ajo më së shumti përfshinë botëra të perceptueshme.

Pas kësaj në njeriun krijohet shqisa e të dëgjuarit, me anë të cilës ai dëgjon, i dëgjon tingujt dhe ariet.
Më në fund krijohet shqisa e shijimit.
Dhe kështu ndodhë gjersa njeriu nuk e tejkalon botën perceptuese dhe në të, rreth moshës shtatë vjeç,zhvillohet aftësia e të dalluarit.
Kjo është shkalla e dytë e rrojtjes së tij, në të cilën i shquan gjërat të shtuara ndijimeve e të cilat nuk gjenden në botën e shqisave.
Pastaj njeriu arrinë në një shkallë të re. Krijohet arsyeja e tij dhe ai koncepton domosdoshmëritë, mundësitë dhe pamundësitë,dhe gjërat të cilat nuk ekzistojnë në shkallët e mëhershme.

Pas arsyes është shkalla e re në të cilën çilen sy të tjerë. Me to njeriu sheh të fshehtën, dhe atë që do të ndodhë në ardhmëri, dhe gjëra të tjera të paarritshme për arsyen, sikur që konceptimet e arsyes nuk i janë të arritshme aftësisë së dallueshmërisë, dhe sikur që të arriturat e kësaj fuqie nuk janë të arritura për shqisat e perceptimit.

Po qe se njeriut i cili gjendet në shkallën e dallueshmërisë do t'i prezentoheshin konceptimet e arsyes, ai do ti refuzonte këto,duke i konsideruar si të pamundshme. Po ashtu, disa individ, të cilët gjenden në shkallën e arsyes refuzojnë konceptimet e pejgamberizmit dhe i konsiderojnë ato si të pamundshme. Kjo është injorancë e kulluar, sepse e konsiderojnë si të pabesueshme atë që gjendet në shkallën të cilën nuk e kanë arritur ata.

Pasi që nuk është e besueshme për ta, e nuk është e besueshme sepse nuk e kanë arritur atë,ai nuk ekziston edhe në njëmendësi.Po qe se njeriut të verbët, i cili nga transmetimet dhe rrëfimet e të tjerëve nuk ka kuptuar asgjë mbi ngjyrat dhe format, do t'i thuhej për të parën herë diç rreth kësaj, ai këtë nuk do ta kuptonte e as që do ta pranonte.

Zoti i Lartmadhërishëm ua ka lehtësuar krijesave të Veta që ta kuptojnë këtë duke i prirur ata me diçka që është e ngjashme me cilësinë e pejgamberizmit, e kjo është ëndrra. Ëndërrimtari percepton atë të fshehtën që do të ndodhë, qoftë në trajtë të qartë, qoftë në ndonjë trajtë kuptimi i së cilës kuptohet me anë të komentimit. Mirëpo, po qe se njeriut i cili nuk posedon kurrfarë përvoje ëndërruese do t'i thuhet: "Ekzistojnë njerëz të cilët, ngjashëm me të vdekurit, e humbasin vetëdijen, kujtesën, të dëgjuarit dhe të pamurit, dhe të cilët perceptojnë të padukshmën!",ai këtë do ta refuzonte dhe do të tentonte të argumentojë se kjo është e pamundur, duke thënë: "Aftësitë ndijore janë shkajkorë të perceptimit. Kush nuk i vërenë gjërat në praninë e tyre dhe me ndërmjetësimin e tyre,aq më tepër këtë nuk mund ta bëjë kur ato dobësohen."

Ky është lloj i konkluzionit sipas analogjisë praninë e së cilës e vërteton vetë realiteti dhe dëshmitë njerëzore. Ashtu siç është arsyeja njëra nga shkallët e njeriut në të cilën ekziston, "syri" që "sheh", kuptueshmëritë e llojllojshme të cilat janë jashtë pikëmbërritjes së shqisave, po ashtu edhe pejgamberizmi është përshkrim i shkallës në të cilën gjendet "syri" i prirur me ndriçim në të cilën tregohet e padukshmja dhe bëhen të dukshme gjërat të cilat arsyeja nuk i arrinë.

Dyshimi në pejgamberizëm mund t'i përket vetë mundësisë, ose rrojtjes dhe domosdoshmërisë së tij, ose se është serioze në një person të caktuar.Se pejgamberizmi është i mundur, është argumentuar me atë se ai gjallëron. Gjallërimi i tij është argumentuar me gjallërimin e konceptimeve në botë, të cilat nuk mund të prezentohen si të arritura të arsyes. Ky është rast tek mjekësia dhe astronomia.

Ai i cili me siguri është thelluar në to e di se ato janë fituar duke i falënderuar frymëzimit hyjnor dhe me ndihmesën e Zotit të Lartmadhërishëm. Gjer tek ato nuk mund të arrihet me vrojtim.Ekzistojnë ligjet astronomike të cilat bazohen në dukuri gjer të cilat ndodhin një herë në një mijë vjet. Dhe si do të mund të arrihej gjer tek ato me anë të vërojtimit personal! Po ashtu është edhe me cilësitë e ilaçeve.
 

ymer prizreni

Anëtar i ri
Anëtar
Jul 1, 2011
Postime
1,873
Pikët
0
Përgjigje e: Imam Gazaliu k.v.

Në bazë të këtij argumenti bëhet e qartë se është e mundur të ekzistojë rruga për perceptimin e këtyre gjërave, të cilat arsyeja nuk mund t'i arrijë. Ky është departamenti i pejgamberizmit, edhe pse nuk do të thotë se pejgamberizmi është vetëm prezentim i tij.

Perceptimi i asaj që arsyeja nuk mund ta arrijë është një nga cilësitë e pejgamberizmit.Ky posedon edhe shumë cilësi të tjera,e kjo e përmendura është vetëm një pikë uji në det. Këtë e parashtrova sepse ti njeh diç të ngjashme, e kjo është ajo që percepton në ëndërr; posedon gjithashtu dijeni të llojit të këtillë në mjekësi dhe në astronomi, e këto janë mrekullira të Pejgamberëve gjer tek të cilat nuk mund të arrijnë ata të cilët shërbehen me përpjekjet e arsyes.

Cilësitë tjera të pejgamberizmit konceptohen me prova, duke pasuar rrugën e tesavvufit, nëse e ke kuptuar cilësinë e përmendur duke i falënderuar ëndrrës si diç të ngjashme që të është dhënë, e sikur ajo të mos ekzistonte, nuk do të besoshe në këtë cilësi. Sepse, sikur Pejgamberi të posedonte ndonjë cilësi e cila nuk do të ishte assesi e ngjashme me atë që posedon ti, dhe të cilën ti nuk e kupton në esencën e saj, atëherë si do të mund të besosh në të? Besimi vjen pas kuptimit.

Në këtë rast duhet të qëndrohet në rrugën e tesavvufit.Një pjesë e kësaj aftësie e mbi-arsyes përfitohet me provë,e tjetra me një lloj besimi në atë që i ikën perceptimit sipas përgjasimit, dhe kjo cilësi e thjeshtë e pejgamberizmit atëherë është e mjaftueshme që t'i besohet vetë esencës së pejgamberizmit.

Nëse të paraqitet dyshimi në ndonjë person të caktuar - se a është pejgamber apo nuk është - sigurinë mund ta fitosh duke u njoftuar,qoftë me anë të bindshmërisë,qoftë me anë të dëgjimit dhe traditës së besueshme,se ç’është ai.

Që nga momenti kur të të bëhet e ditur se ç'është mjekësia dhe jurispodenca, që nga ai moment je në gjendje ta njohësh juristin dhe mjekun, duke u dëshmuar në atë se çka janë ata dhe duke u njoftuar me fjalët e tyre edhe pse ti personalisht nuk i njeh. Dhe kurrgjë nuk të pengon të konceptosh, dhe atë me konceptim të vërtetë duke mos i pasuar të tjerët, se Shafiu - Zoti e mëshiroftë - është jurist, e Galeni mjek.

Me të vërtetë, mu për shkak se din diç mbi jurispodencën dhe mjekësinë, dhe për çka, sepse i ke studiuar librat dhe veçoritë e tyre, arrinë gjer tek perceptimi i domosdoshëm mbi atë se çka janë ata në realitet.

Po ashtu, kur të kuptosh domethënien e pejgamberizmit dhe t'i kushtosh shumë kohë depërtimit në Kur'an dhe në Hadith, do të kuptosh me siguritet të plotë se Muhammedi - mëshira dhe paqja e Zotit qofshin mbi të! - qëndron në shkallën më të lartë të pejgamberizmit.

Do të dëshmohesh për këtë hollësisht duke studiuar atë se çka ka thënë ai për veprat hyjnore dhe influencën e tyre në pastrimin e zemrës kur ka thënë të vërtetën: "Kush punon çka di, Atij Zoti i jep dijeni për atë që nuk di!", dhe ka pasur të drejtë kur ka thënë: "Mbi ndihmësin e dhunuesit Zoti i jep pushtet dhunuesit!", dhe se e vërteta është në fjalët e tij: "Kush gëdhin vetëm me një brengë, Zoti i Lartmadhërishëm do ta mbrojë nga brengat edhe të kësaj edhe të asaj bote!" Kur t'i provosh këto fjalë një mijë herë, dy mijë herë, shumë mijë herë, do të fitosh dijeni të sigurtë në të cilën nuk ka dyshim.

Njëmendësinë e pejgamberizmit kërkoje në këtë mënyrë, e jo në shndërrimin e shkopit në gjarpër dhe në çarjen e Hënës në dysh. Sepse, po qe se këtë ngjarje do ta vështrosh ndaras duke mos i përfillë shumë rrethana të cilat e përcjellin, është e mundur që të mendosh se këto janë akte magjistare dhe fanitje, ose mashtrime nga Zoti, sepse Zoti është Ai i Cili "...e shpie në humbje kë të dojë..."

Në këtë mënyrë për ty do të zgjidhet problemi i mrekullive, e nëse besimi yt është i bazuar në gjykim të besueshëm mbi mënyrën e paraqitjes së mrekullive, atëherë besimi yt do t'i mënjanojë vështirësitë në shqyrtimin e paqartësive të tyre dhe largon dyshimin në to.

Shembulli i këtyre dukurive të jashtëzakonshme mund të jetë një nga argumentet dhe momentet në gjykimin tënd të tërësishëm, atëherë kur arrinë ndonjë konceptim të sigurtë, e nuk je në gjendje të përcaktosh themelin e saj konstruktiv.

Kjo është sikurse kur një mori njerëzish transmeton një lajm të besueshëm,e nuk është e mundur të emërohet personi në fjalë në të cilin bazohet siguria në autenticitetin e tij. Siguriteti nuk mund të nxirret nga tërësia e zinxhirit të transmetuesve,e as që mund të ndërlidhet posaçërisht për dikë,por megjithatë, ky është besim i fortë dhe i ditur.

Eksperienca e drejtpërdrejtë, nga ana tjetër, është sikurse vërojtimi i drejtpërdrejtë dhe kapja me dorë, dhe gjendet vetëm në rrugën e sufistëve.
 

ymer prizreni

Anëtar i ri
Anëtar
Jul 1, 2011
Postime
1,873
Pikët
0
Përgjigje e: Imam Gazaliu k.v.

El-Gazaliu “ VËREJTJE DHE KËSHILLA”

All-llahu i Lartmadhërishëm ka thënë: "O njeri! Habitem me atë njeri, i cili është i bindur se do të vdesë, sesi mund të dëfrehet! Habitem me atë njeri, i cili është i bindur se do të japë llogari, sesi mund të mbledhë (tubojë) pasuri! Habitem me atë njeri, i cili është i bindur se do të vendoset në varr, sesi mund të qeshë! Habitem me atë njeri, i cili është i bindur për ahiretin, sesi mund të pushojë! Habitem me atë njeri, i cili është i bindur për këtë botë dhe për zhdukjen e saj,e si atëherë mund të gjejë prehje në të! Habitem me atë njeri, i cili është i njohur për nga gjuha (në të folur) e është xhahil (i paditur) në zemër! Habitem me atë njeri, i cili pastrohet me ujë, e zemrën e ka të papastër! Habitem me atë njeri, të cilin e kanë kapluar mëkatet (mangësitë) e njerëzve të tjerë, e është i pakujdesshëm kundrejt të metave (mangë-sive) të veta, ose me atë i cili e di se është i mbikëqyrur nga All-llahu, e së këndejmi është i padëgjueshëm ndaj Tij, ose me atë i cili e di se do të vdesë vetëm, do të hyjë na varr vetëm, dhe vetë do të japë llogari, sesi mund të shoqërohet me njerëzit! Nuk ka Zot tjetër përveç Meje, të Njëmendshëm, e Muhamedi është robi Im dhe i Dërguari Im! "


"Dëshmoj me Veten Time se nuk ka Zot tjetër përveç Meje dhe se nuk kam shok! Muhamedi është robi Im dhe i Dërguari Im! Ai që nuk është i kënaqur me përcaktimin Tim dhe nuk është i durueshëm për sprovimin Tim, është i pakënaqur me dhuntitë e Mia dhe nuk kënaqet me atë që jap Unë, le ta adhurojë ndonjë sundues tjetër pos Meje! Ai që gdhinë i pikëlluar për shkak të dunjallëkut, ai sikur të ketë gdhirë i hidhëruar në Mua! Ai që ankohet në mynxyrat, ai ankohet në Mua! Kush hyn tek ndonjë i pasur e i bindet atij për shkak pasurisë së tij, ai e ka humbur një të tretën e besimit të vet! Kush e godet fytyrën e vet për shkak të ndonjë të vdekuri, ai sikur ta ketë marrë një shtizë e të dojë të sulet në Mua! Ai që e thyen një degë në ndonjë var, sikur me dorë të vet ta ketë thyer derën e Kab‟es Sime! Ai që nuk kujdeset se nga cila derë do të hajë (ushqehet), as All-llahu nuk do të kujdeset se nga cila derë e Xhehennemit do ta futë (në Zjarr)! Ai i cili nuk e rritë (zmadhon) besimin e vet, ai është në humbje, e kush është në humbje ma mirë e ka të vdesë! Ai që vepron në bazë të asaj që e di, All-llahu do t‟ia mësojë atë që nuk e di! Ai që ka shpresa të mëdha, veprën nuk e ka të sinqertë! "

"O njeri! Ji i kënaqur me atë që ke, do të jeshë më i pasuri! Shmangiu zilisë do të jeshë më i rehat-shmi! Largohu nga harami, do ta ruash besimin tënd! Kush e braktisë shpifjen, (delendisjen), do t‟i shpre-het dashuria Ime! Kush ruhet nga njerëzit, do të shpëtojë nga ata! Kush e zvogëlon të folurit, mendja i përmbushet! Kush është i kënaqur me pak, ai mbështetet tek All-llahu! O njeri! Ti nuk je duke vepruar sipas asaj që e di, e pse atëherë kërkon atë që nuk e di!? Po punon për këtë botë sikur nuk do të vdesësh nesër dhe grumbullon pasuri sikur do të jetosh përgjithmonë! O dunjallëk! Shkurtohu për atë që është i pangopshëm me ty, gjako (lakmo) për atë që s‟çan kokën për ty, e bëhu i ëmbël për ata që të shikojnë!

"Kush gdhin i pikëlluar për shkak të dunjallëkut, ai do të largohet nga All-llahu, në dunjallëk do të ketë vetëm vuajtje, e në ahiret përpjekje të kota! All-llahu do t‟ia rëndojë (ngarkojë) zemrën me brenga, të cilat kurrë nuk do të pushojnë, me punë, të cilat kurrë nuk do të ndërpriten, me varfëri, e cila kurrë nuk do të anulohet dhe me shpresa, të cilat kurrë nuk do të zhdavariten! O njeri! Për çdo ditë të pakësohet nga jeto jote, e ti nuk çan kokën për këtë, për çdo ditë të vjen nafaka, e t‟i sërish je mosmirë-njohës! Nëse të pakësohet, je i pakënaqur, nëse të shumohet je i pangopshëm! O njeri! Për çdo ditë të vjen nafaka nga Unë, e për çdo natë nga ti Mua më vijnë engjëjt me veprat e tua të shëmtuara! Po ushqe-hesh me furnizimin Tim, e nuk Më je mirënjohës! Ti më thërret, e Unë të përgjigjem! Të mirat e Mia të zbresin ty, e Mua më vijnë të këqijat e tua! E, sa Sundimtar i mirë që jam Unë ndaj teje, e sa rob i keq që je ti ndaj Meje! Ti harron atë që të jap Unë, e Unë po i mbuloj turpet e tua! Unë turpërohem prej teje, e ti nuk turpërohesh prej Meje! Mua më harron, e tjetrin kujton (mendon)! Ki frikë nga njerëzit dhe pezmi i tyre, e ji i sigurt nga Unë dhe pezmi Im! "
 

ymer prizreni

Anëtar i ri
Anëtar
Jul 1, 2011
Postime
1,873
Pikët
0
Përgjigje e: Imam Gazaliu k.v.

"O njeri! Mos u bëj prej atyre të cilët zvogëlojnë vështirësitë, e e zgjasin shpresën, e as prej atyre të cilët e shpresojnë ahiretin pa kurrfarë veprash, të cilët flasin me fjalët e të devotshmëve, e veprojnë me vepra të hipokritëve! Nëse u jepet, nuk janë të kënaqur, e nëse u cungohet, nuk janë të durueshëm! Urdhërojnë të bëhen vepra të mira, e vetë nuk i bëjnë dot, ndalojnë ato të këqijat, e vetë nuk pushojnë së bëri! I duan bamirësit, e vetë nuk janë prej tyre, i urrejnë hipokritët, ndërsa vetë janë të tillë, flasin atë që nuk punojnë, e punojnë atë për çka nuk janë të urdhëruar, kërkojnë nga të tjerët, e vetë nuk i zbatojnë detyrimet! O njeri! Nuk kalon dot as një ditë e vetme e që Toka të të mos drejtohet me këto fjalë: „O njeri!Po ecë nëpër mua,e pastaj do të shtrihesh në mua,po ha nga unë,e pastaj ty do të të hanë krimbat në mua!O njeri!Unë jam Shtëpia e vetmisë,dhe Shtëpia e marrjes në pyetje, dhe Shtëpia e izolimit dhe e errësirës,dhe Shtëpia e gjarpërinjve dhe i akrepave (sfurkthëve),andaj mos më rrëno,por më ndërto!‟"

"O njerëz! Nuk ju kam krijuar për tu forcuar me shumësinë tuaj, as për tu shoqëruar me ju për shkak të vetmisë Sime, as për tu ndihmuar me fuqinë tuaj, e as për të prokuruar ndonjë dobi nga ju ose për të shmangur ndonjë mynxyrë, por ju kam krijuar që të Më robëroheni gjatë, që të Më falënderoni shumë dhe që të Më madhëroni edhe në mëngjes edhe në mbrëmje! O Njerëz! Sikur të ishit bashkuar të gjithë ju dhe xhinët, të rinjtë dhe pleqtë, të lirët dhe robërit, për t‟Mu bindur Mua, kjo nuk do ta zmadhonte as për një thërrmijë pushtetin Tim! Kush përpiqet (mundohet), ai përpiqet për dobi të vetë, e All-llahu, me të vërtetë, është i pavarur nga njerëzit! O njeri! Ashtu siç e trazon (shqetëson) ti dikënd, ashtu do të jeshë edhe ti i trazuar, dhe si të sillesh ti ndaj dikujt, ashtu do të sillen edhe të tjerët ndaj teje! "

"O njerëz! O shërbëtorë të dinarit dhe të dërhemit! Unë ato i kam krijuar për ju që, me ndihmën e tyre, të ushqeheni me furnizimin Tim, që të visheni me rrobat e Mia, dhe për të Më madhëruar dhe adhuruar. Ju keni pranuar (pëlqyer) Librin Tim, e pastaj atë e keni hedhur pas shpine, e dinarin dhe dërhemin i keni marrë dhe i keni vendosur mbi të gjitha! I keni ngritur shtëpitë tuaja, ndërsa shtëpitë e Mia i keni poshtëruar! Ju nuk jeni njerëz të shquar, e as njerëz të lirë, porse vetëm robër të parasë. Tubimet tuaja janë sikurse varret e gëlqerosura, me pamje të jashtme të bukur, por me brendi të papëlqyeshme! Po e përmirësoni gjendjen mes njerëzve, duke u shprehur dashuri me fjalë të ëmbla dhe duke u sjellë bukur me ta, porse po largoheni nga ngurtësia e zemrave tuaja dhe nga hallet/ gjendjet tuaja të urryera! O njeri! Vepro sinqerisht dhe më lut Mua, se Unë, me të vërtetë, do të të dhuroj më shumë sesa Më lusin lutësit e Mi! "
 

ymer prizreni

Anëtar i ri
Anëtar
Jul 1, 2011
Postime
1,873
Pikët
0
Përgjigje e: Imam Gazaliu k.v.

"O njerëz! Unë nuk ju kam krijuar juve ngase m‟u ka tekur, e as kot për së koti (pa ndonjë shkak a arsye të rëndësishme), e as që jam i pakujdesshëm kundrejt asaj çfarë bëni ju! Unë jam i informuar mirë për të gjitha! Nuk do të arrini dot atë që dëshironi nga Unë, përveç me durim kundrejt asaj që e urreni për hir të kënaqësisë Time! Më lehtë e keni të jeni të durueshëm në të bindur ndaj Meje, sesa në të pabindur ndaj Meje! Më lehtë e keni të braktisni mëkatin sesa të arsyetoheni nga vapa e Xhehennemit! Më lehtë për ju është vuajtja e dunjasë sesa vuajtja e ahiretit! Ju të gjithë jeni në lajthitje, përveç atyre që i udhëzoj Unë! Të gjithë jeni mëkatarë, përveç atyre që i mbroj Unë! Për mëkatet tuaja kërkoni ndjesë nga Unë, se do t‟ju mëshiroj! Mos fshihni sekretet tuaja nga Ai, për të Cilit sekretet tuaja nuk janë të panjohura! "

"O njerëz, ju ka ardhur juve nga Zoti juaj mësimi dhe ilaçi për atë që keni në kraharorët tuaj. Përse i bëni mirësi vetëm atij që ju ka bërë juve mirësi, përse i mirëmbani lidhjet vetëm me atë që i mirë-mban me ju, flisni vetëm me atë që flet me ju, e ushqeni vetëm atë që ju ushqen juve, i shprehni respekt vetëm atij që ju respekton edhe juve? Ju nuk keni përparësi kundrejt njëri-tjetrit! Ndërsa besim-tarë janë vetëm ata të cilët e besojnë All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe të cilët i bëjnë mirësi edhe atyre që u bëjnë dëm (ndonjë të keqe), dhe të cilët mirëmbajnë lidhjet edhe me ata që i ndërprejnë këto, dhe të cilët u falin edhe atyre që u kanë bërë padrejtësi, dhe të cilët kanë besim edhe tek ata që i kanë tradhtuar, dhe të cilët flasin edhe me ata që u shmangen, dhe të cilët u shprehin respekt edhe atyre që i përçmojnë! Unë, me të vërtetë, jam i informuar mirë për ju! "

"O njeri!Sa e sa kandila i ka shuar era(fryma)e epshit!Sa të devotshëm ekzistojnë që i ka shkatërruar mendjemadhësia(vetëpëlqimi)! Sa e sat të pasur (pasanikë) i ka shkatërruar pasuria e tyre, e sa e sa varfanjakë i ka shkatërruar varfëria e tyre! Sa e sa njerëz të shëndoshë i ka shkatërruar shëndeti i tyre! Sa e sa të ditur (dijetarë) i ka shkatërruar dituria, e të paditur (injorantë) mosdija e tyre! Sikur të mos ekzistonin të moshuar që bëjnë ruku, të rinj që sillen me përulësi, fëmijë që thithin gji dhe kafshët në kullota – qiellin mbi ju do ta shndërroja në hekur, tokën në shkretëtirë, e pluhurin në hi! Nuk do t‟ju dërgoja as një pikë shiu, e as që toka do t‟i mbinte farërat, por mbi ju do ta derdhja dënimin!
 

Lov!

Super Anëtar
Anëtar
Jan 3, 2012
Postime
389
Pikët
43
Vendndodhja
MiRror
Përgjigje e: Imam Gazaliu k.v.

k.v

qëndron përr?
 

ymer prizreni

Anëtar i ri
Anëtar
Jul 1, 2011
Postime
1,873
Pikët
0
Përgjigje e: Imam Gazaliu k.v.

k.v

qëndron përr?
Është titull që i vijet njerëzëve të mistikës Islame që kanë njohuri nga dija hyjnore (njerëz që kanë arritur përsosmërin shpirtërore)
 

ymer prizreni

Anëtar i ri
Anëtar
Jul 1, 2011
Postime
1,873
Pikët
0
Përgjigje e: Imam Gazaliu k.v.

"O njeri! Je i durueshëm dhe i bindur, do ta rris autoritetin tënd! M‟u falëndero Mua, do të jap edhe më shumë! Kërko nga Unë falje, do të të fal, e kur më drejtohesh do të të përgjigjem! Kërko ndjesë nga Unë për mëkatet, do të të fal, do ta pranojë pendi-min! Kërko nga Unë, do të të dhuroj! Jep sadaka, do t‟i jap bereket furnizimit tënd! Ruaj lidhjet farefis-nore, do ta shtoj jetën! Kërko nga unë të mira në shëndet të vijueshëm, siguri në vetmi, sinqeritet në zellshmëri, devotshmëri gjatë mynxyrave dhe begati në kënaqësi! O njeri! Si mund të jeshë i ngopur, e të gjakosh për ibadet? Si mund të jeshë njëkohësisht i mallëngjyer për dashurinë e All-llahut dhe për pa-surinë? Si gjakon e lakmon frikën (nga All-llahu),e ke frikë nga varfëria? Si është e mundur që ta dëshirosh devotshmërinë,e së këndejmi ke lakmi të pangopshme ndaj dunjallëkut? Si është e mundur që ta dëshirosh kënaqësinë e All-llahut, e nuk u ndih-mon të varfërve? Si mund të gjakosh për kënaqësinë Time, e së këndejmi je koprrac? Si është e mundur që ta dëshirosh Xhennetin, e e do dunjallëkun dhe mburrjen? Si mund ta kërkosh lumturinë e botës tjetër me pak dituri? "

"O njeri! Vdekja do ti zbulojë fshehtësitë tuaja, Dita e Gjykimit do ti bëjë të njohura botërisht lajmet e tua, ndërsa ndëshkimi do ta nxjerrë në shesh turpin tënd! Andaj,kur të bësh ndonjë mëkat,mos e konsidero atë si cikërrimë,porse mendohu mirë se ndaj kujt ke mëkatuar! ëse je furnizuar me pak furnizim,mos e konsidero atë si të vogël, porse përqendrohu në atë se kush të ka furnizuar! Mos i përçmo lehtë mëkatet e vogla, meqë ti nuk e di se me çfarë mëkati je ngarkuar! Mos ji i sigurt nga ndëshkimi Im, ngase ai është më i fshehtë sesa zvarritja e buburrecit nëpër shkrepin shkëmbor në natën e errët! O njeri! A të bie ndër mend hidhërimi Im kur bën ndonjë mëkat ndaj Meje? A ke pushuar së bëri atë që e kam ndaluar? A po i kryen farzet e Mia ashtu siç të kam urdhëruar? A e ke ngushëlluar me pasurinë tënde ndonjë varfanjak? A po sillesh mirë me atë që ndaj teje është i keq? A po ia falë atij që të ka bërë ndonjë padrejtësi? A po e mirëmban lidhjen me atë që e ka ndërprerë këtë me ty? A je I drejtë ndaj atij që të ka tradhtuar (zhgënjyer)? A flet me atë që të shmanget ty? A e ke edukuar mirë fëmijën tënd? Fqinjët e tu a janë të kënaqur me ty? A po i pyet të diturit për çështjet e fesë dhe për detyrimet e tua? Unë, me të vërtetë, nuk po i vështroj pamjet tuaja, e as bukurinë tuaj, por po i vështroj zemrat tuaja dhe jam i kënaqur nëse i keni cilësitë e përmendura! "

"O biri i Ademit! Ti gdhin në mes të dhuntive dhe nuk e di se cila prej tyre është më shumë e drejtuar kundër teje: mëkatet e tua të fshehura nga njerëzit dhe mendimi i mirë i tyre për ty! Sikur njerëzit të dinin për ty atë që di Unë, madje as që do të të përshëndetnin! Më e madhe se kjo është bami-rësia dhe pavarësia nga ata, dhe nevoja e tyre për ty dhe që nuk të ofendojnë! Më falëndero dhe percep-toje vlerën e dhuntive të Mia ndaj teje! Pastroji veprat e tua nga hipokrizia! Furnizohu ashtu siç furnizohet udhëtari i frikësuar! Depozitoji veprat e tua të mira nën Arshin Tim! O njerëz! Zemrat tuaja të vrazhda qajnë për shkak të veprave tuaja, veprat tuaja qajnë për shkak trupit tuaj, trupat tuaj qajnë për shkak të gjuhëve tuaja, e gjuhët tuaja qajnë për shkak të syve tuaj! O njeri! Thesari Im kurrë nuk shteret, aq sa ndan (jep) ti, edhe ty do të të jepet, aq sa cungon ti, edhe ty do të të cungohet! Koprracia jote kundrejt të varfërve nga ajo me çfarë të kam furnizuar Unë rrjedh nga përsiatja jote e gabuar – frika nga varfëria dhe mosmbështetja tek Unë! Unë në natyrën tënde e kam mbjell brengën për furnizim dhe kurdoherë që brengosesh për furnizim Unë do të të furnizoj! Prandaj jep e mos koprraco me furnizimin Tim ndaj robërve të Mi! Ta kam siguruar shpagimin, e pse pra dyshon në fjalën Time? Ai që nuk ka besim në premtimet e Mia dhe në të Dërguarit e Mi, ai ka mohuar Zotërimin Tim, e atë që e mohon Zotërimin Tim, do ta gremis në Zjarr me fytyrë për toke! "
 

Lov!

Super Anëtar
Anëtar
Jan 3, 2012
Postime
389
Pikët
43
Vendndodhja
MiRror
Përgjigje e: Imam Gazaliu k.v.

Dmth, Zoti ja shterofte dijen Gazaliut?
 

Lov!

Super Anëtar
Anëtar
Jan 3, 2012
Postime
389
Pikët
43
Vendndodhja
MiRror
Përgjigje e: Imam Gazaliu k.v.

po pse atehere ja shterofte e ke perdorur ne titull?
 

ymer prizreni

Anëtar i ri
Anëtar
Jul 1, 2011
Postime
1,873
Pikët
0
Përgjigje e: Imam Gazaliu k.v.

"O njeri! Unë jam All-llahu, përveç Meje zot tjetër nuk ka! Më adhuro dhe Më falëndero e mos u bëj mosmirënjohës! O njeri! Kush Më shoqëron ortak – Më ka shpallur luftë! Pezmi Im rritet ndaj atij që i bën dhunë atij që nuk ka ndihmës tjetër pos Meje! Kush është i kënaqur me atë që ia kam përcaktuar, do ta bekoj furnizimin e tij dhe do t‟i jap në dynjallëk edhe nëse ai nuk e do atë!

"Bëj vepra të mira ngase këto janë çelësi i Xhennetit dhe të qojnë tek ai! Largohu nga të këqijat ngase këto janë çelësi i Zjarrit dhe të qojnë tek ai! O njeri! Dije se ajo që ndërton rrënohet! Jeta jote kalon, e trupi të kalbet! Ajo që tubon në tokë, i mbetet trashëgimtarëve! Pasuria i takon tjetërkujt ndërsa ty të mbetet dhënia e llogarisë, ndëshkimi dhe pendimi! Shokët e tu në varr do të jenë veprat e tua! Bëja vetvetes llogarinë para se të të bëhet! Më je i bindur dhe ruaju nga mëkatet! Ji i kënaqur me atë që të kam dhënë dhe ji falënderues! O njeri! Kush bën ndonjë mëkat duke qeshur, do ta fus në Zjarr duke qarë, e kush rri ulur duke qarë për shkak të frikës nga Unë, do ta shpie në Xhennet duke qeshur! O njeri! Sa e sa të pasur Ditën e Gjykimit do të dëshironin të ishin të varfër! Sa e sa zullumqarë do të poshtërohen, sa e sa kënaqësi vdekja do t‟i hidhështojë, sa e sa të gëzueshmit vdekja do t‟i harrojë dhe sa e sa gëzime pikëllimi do t‟i trashëgojë! O njerëz! Po të dinin kafshët për vdekjen atë që dini ju, ato do të ngurronin nga haja e pija derisa të vdisnin nga uria e etja! O njeri! Sikur të të mos ishte caktua asgjë tjetër përpos vdekjes dhe ashpërsisë së saj, do të duhej që natën të mos rehatoheshe, e ditën të mos nguliteshe (stabilizoheshe), sidomos kur të pret ajo pas vdekjes e cila është shumë më e tmerrshme sesa vdekja! O njeri! Fshehtësinë e vdekjes hidhe pas shpine me dhuntitë të cilat të arrijnë në ahiret! Pikëllohu për veprat e mira që të kanë ikur! Mos iu gëzo asaj se çfarë të pret akoma në dynjallëk dhe mos të dhimbset për atë se çfarë të ka kaluar nga ajo! O njeri! Të kam krijuar nga dheu, në të do të të kthej dhe nga ajo do të të ringjall, prandaj lëre dynjallëkun dhe përgatitu për vdekje! Dije se, kur Unë e dua robin, ia largoj vëmendjen nga dunjallëku e ai i ruhet asaj dhe punon vepra të banorëve të Xhennetit, e Unë, me mëshirën Time, e fus atë në Xhennet! E, kur hidhërohem në robin Tim, e dëfrej atë me punët e dynjallëkut dhe kështu bëhet nga banorët e Xhehennemit dhe Unë e fus atë në Xhehennem! O njeri! Secila jetë, sado e gjatë që të jetë ajo - kalon!

Dunjallëku është sikundër hija, zgjat një çikë (pakëz), pastaj zhduket dhe nuk kthehet më! O njeri! Unë jam Ai që të ka krijuar, që të ka furnizuar, që të ka dhënë jetën, i Cili do të të vdesë, i Cili do të të ringjallë dhe tek i Cili do t‟i lashë hesapet! Nëse bën ndonjë vepër të keqe, do ta shohësh atë edhe pse ti vetvetes nuk mund t‟i bësh dëm, as t‟i sjellësh dobi, as t‟i japësh jetën, vdekjen dhe ringjalljen! O njeri! Më je i dëgjueshëm dhe Më shërbe, mos u brengos për riskun, meqë tanimë të kam përcaktuar mjaft! Mos u brengos për atë që të është siguruar tanimë! O njeri! Si mund të brengosesh për atë që nuk të është caktuar dhe që nuk mund ta arrish, sikundër që nuk do të kesh sevabe për veprat që nuk i ke bërë! O njeri! Si mund t‟i gëzohet jetës ai rruga e të cilit është – vdekja? Si mund të jetë i hareshëm në shtëpinë e dynjallëkut ai shtëpia e të cilit është – varri? O njeri! Furnizimi i paktë për të cilin je mirënjohës është më i mirë sesa shumë furnizim për të cilin nuk je mirënjohës! O njeri! Pasuria më e madhe është ajo të cilën e dërgon para vetes, e më e keqja ajo që e lë në dynjallëk pas vetes, andaj dër-goje për veten para se të të vijë vdekja – do ta gjeshë tek Unë! O njeri! Kush është i brengosur, Unë ia heq brengën; kush lutet për mëshirë, Unë ia fal; kush pendohet, Unë i jam i mjaftueshëm; kush është lakuriq, Unë e vesh; kush frikësohet, Unë ia dhuroj sigurinë; kush është i uritur, Unë e ngop! Nëse robi është i dëgjueshëm (i bindur) ndaj Meje dhe i kënaqur me përcaktimin Tim, Unë ia lehtësoj, i dhuroj fuqi për të dhe ia zgjeroj kraharorin! O Musa! Kush kënaqet me pasurinë e varfanjakut dhe të bonjakut, do ta varfëroj në dynjallëk dhe do ta ndëshkoj në ahiret! Kush mendjemadhësohet para varfanjakut dhe para të dobëtit, do t‟ia përgatis atij shtëpinë e shkatërrimit dhe do ta fus atë në Zjarr: 'Kjo, me të vërtetë, ka qenë shënuar në faqet e broshurat e lashta, në broshurat e Ibrahimit dhe të Musait.'"(El-E'ala, 18-19.)
 

ymer prizreni

Anëtar i ri
Anëtar
Jul 1, 2011
Postime
1,873
Pikët
0
Përgjigje e: Imam Gazaliu k.v.

Nën jastëkun e Gazalit, aty ku kishte ndërruar jetë, vëllau i tij Ahmedi i gjenë vargjet e fundit të shkruara nga Gazali me siguri gjatë natës, ku kishte thënë:

“Thuaj shokëve të mi, kur të më shikojnë mua, të vdekur
Duke qarë dhe vajtuar me pikëllim për mua
Mos besoni që ky trup që po e shikoni jam unë
Në emër të Perëndisë, ju them, nuk jam unë,
Unë jam një shpirtë, dhe ky trup nuk është asgjë më shumë se mish
Ishte banimi im dhe rrobat e mija për një kohë
Unë jam një thesarë, që hajmalia e mbante të fshehur,
I formuar nga pluhuri, që më shërbeu si një altar
Unë jam një margaritarë, që la guaskën të braktisur,
Unë jam një zog, dhe ky trup ishte kafazi im
Prej nga kam shkuar unë tani dhe është lënë vetëm shenjë
Falenderimi i takon Zotit, që tani më liroi
Dhe e përgaditi vendin tim për mua në parajsën më të lartë,
Deri sot isha i vdekur, edhe pse i gjallë në mesin tuaj
Tani jetoj me të vërtetën, me varrin – rrobat e hedhura
Sot bisedojë me të shenjtët lartë
Pa perde në mes, E shoh Zotin ball për ball
Shikojë në “Loh – I – Mahfuz” dhe atje lexojë
Të kaluarën, të tanishmën, dhe të ardhshmen.
Ma leni shtëpine të bie në gërmadha, lëshojeni kafazin tim në tokë
Hidheni hajmalinë, nuk është shenjë më tutje
Ma leni anash mantelin, ishte vetëm rroba ime e jashtme.
Vendosni të gjitha në varrë, leni që të harrohen,
Unë kalova në rrugën time dhe ju keni mbetur prapa
Vendbanimi juaj nuk ishte më një vendqëndrim për mua
Mos mendoni se vdekja është vdekje, JO, është JETË,
Një jetë që tejkalon, çdo gje që ne vetëm mund të ëndërrojmë.
Derisa në këtë botë, ne na është lejuar gjumi
Vdekja është një gjumë, një gjumë që do të zgjatet
Mos u frikësoni kur vdekja u është afruar
Është vetëm një udhëtim për këtë shtëpi të bekuar
Kujtoni mëshirën dhe dashurinë e Zotit
Falënderojeni për mëshirën e Tij, dhe ejani pa frikë
Çka jam unë tani, edhe ju do të jeni
Sepse e di se ju jeni ashtu si jam edhe unë
Shpirtërat e gjithë njerëzve burojnë nga Zoti
Trupat e të gjithëve janë përbërë nga njëllojë
E mira dhe e keqja, gjithashtu ishte e jona
Ua solla tani një mesazh gëzimi
Paqja dhe kënaqësia e Zotit qoftë gjithmonë me ju.
 
Top