• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Johan V. Gëte

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,220
Pikët
113
Johann Wolfgang Goethe​
(Johan V. Gëte)​
(1749-1832)​

Gëte ka lindur në Frankfurt në 1749 si biri i një familje të klasës së lartë. Ai studioi ligjin në Leipzig dhe Strasburg, ku dhe ishte i përfshirë me lëvizjen letrare të "Drang Sturm und".
Thirrur më 1775, nga Duka Grand Carl, kaloi një pjesë të mirë dhe të madhe të jetës së tij të gjatë në Weimar, ku ishte pjesë e gjykatës si këshilltar dhe ministër, duke e transformuar qytetin e vogël në një nga qendrat më gjallë kulturore të kohës ("mosha klasike e Weimarit"). Ai admironte kulturën klasike greko-romake. Në Weimar pati gjithashtu një miqësi të fortë dhe të frytshme me shkrimtarin Friedrich Schiller.
Ndërmori dy udhëtime në Itali (gjatë udhëtimit të parë u ndal atje për gati dy vjet), gjë që ndikoi thellësisht personalitetin e tij duke stimuluar lendë letrare. Edhe pse i zënë me letërsinë, si dhe me detyrat ministrore, dhe administratore të Dukatit të Madh, ai kryen mjaft studime shkencore mbi bimët dhe gurët, duke zhvilluar një teori të ngjyrës.
Ai është konsideruar poeti më i madh i gjuhës gjermane.
U nda nga jeta më 1832, 83 vjeç, kur ishte bërë "monument i gjallë".
 

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,220
Pikët
113
Johan V. Gëte - poezi

Johann Wolfgang Goethe (Johan V. Gëte)
(1749-1832)


Shqipëroi: Fan S. Noli


QETËSIA



Përmi çdo majë mali
Ka qetësi:
Mi asnjë majë mali
Asgjë s’lëvis,
As pipëtin;
Në pyllin zoqt’ e vegjël po pushojnë:
Prit pak, se shpejt a vonë
Gjen qetësi dhe ti.

VIJA


Moj vij’ e kthjellt’ e kjart’ ergjënd,
Ngaherë rent nga vënd në vënd
Në breg qëndronj dhe po mejtonj:
“Nga po më vjen, ku po më shkon?”

“Vinj prej një burgu shkëmp greminë
Rrjeth nëpër lule dhe lëndinë,
Qiellin e kaltër bukuri
E pasqyronj me dashuri.”

KËNGA E NATËS


Që nga jastëku i butë i qendisur
Dëgjo-më pak, kur ëndërronj
Kur los vjolinë e zhuritur:
Fli! Tjatër gjë, mor xhan, ç’kërkon?

Kur los vjolinë i zhuritur,
Tabor’ i yjve m’a bekon
Çdo ndjenjë lart nga qielli zbritur:
Fli! Tjatër gjë, mor xhan, ç’kërkon?

Çdo ndjenjë lart nga qielli zbritur
Më ngre përpjat’ e më shpëton
Nga zhurm’ e dheut e mërzitur
Fli! Tjatër gjë, mor xhan, ç’kërkon?

Nga zhurm’ e dheut e mërzitur
Më shqit edhe më lumëron,
Më fal mëngjsen’ e alladitur,
Fli! Tjatër gjë, mor xhan, ç’kërkon?
Më fal mëngjsen’ e alladitur,
Për gjumë n’ëndërr më dëgjon
Ah, nga jastëku i butë i qëndisur:
Fli! Tjatër gjë, mor xhan, ç’kërkon?

I PERËNDISHMI


Vetëm njeriu ka në dorë
Të bënjë të pamundurën;
E ndan të bardhën nga e zeza,
Zgjeth e gjykon;
Di dhe zgjeron,
Çastin e vogël e madhon.

Vetëm aty ka zotësi
Të mirin t’a çpërblenjë,
të ligun t’a dënojë;
Të shëronj’ e të shpëtonjë,
Të bashkonjë për shërbim
të lajthiturit e t’ arratisurit.

Kështu pra, i nderojmë
Ata që janë të pavdekur
Sikur të kenë bërë madhërisht
Atë që më i miri vogëlisht
Ka bërë e ka dëshëruar.

Burri bujar duhet të jetë
Gati për ndihmë dhe i mirë;
Duhet të jetë i palodhur
Për shërbim e për të drejtë;
Duhet të jetë një pasqyrë
E Shpëtimtarit që po ëndërrojmë.
 

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,220
Pikët
113
Johan V. Gëte - poezi

Johann Wolfgang Goethe
(Johan V. Gëte)​
(1749-1832)​



Shqipëroi Skënder Luarasi



Nga Fausti(*)



KUSHTIM



Sërish m’afrohi, hije luhatore,
Që në rini iu shfaqët syrit tim.
A të përpiqem tash t’ju ndal përdore?
Prap më qan zemra për atë vegim?
Po grahni! Mirë! Me forë urdhrore
Rreth meje çohi tymit n’agullim;
Dhe ma trondit si në kërthi krahrorin
Fryma magjike që ju ndriçon korin.

Sillni fytyra motesh të gëzuar,
Hije të dhëmshura me çmallin synë;
Si një përrallë e vjetër gjysmë e shuar,
Vjen dashuri e parë me miqësinë.
Përtrihet dhimbja, ngjallet gjëmë e shkuar
E jetës nëpër shteg plot labirinte
Dhe grish të mirët që, për aq orë hareje
Të rrejtur fatit, vanë para meje.

Shpirtrat, q’u kam kënduar më së pari,
Këngët e ra s’po m’i dëgjojnë dot;
Sa miq që pata tash i mbulon varri,
Jehonë e tyre ushton e mekur sot;
Turmës së huaj i ligjëroj së qari,
Edhe lëvdat’ e saj më duket kot;
Dhe sish që kënga m’i gëzoi më parë,
Ndë rrojnë, harbojnë botës së përndarë.

Një mall që e pata zvjerdhur më zë prapë
Për shpirtrat që po heshtin n’amëshim,
Piptimë e këngës sime, si nga nj’arpë
Eljane, e shkretëz endet pa caktim.
Më rrjedhin lot’ e drithma më ka kapë,
E rrepta zemër rreh me mallëngjim:
Atë q’e kam e shoh si në përrallë,
Dhe ç’ishte e zhdukur po më del e gjallë.

----------------

KOR’ I KANDRAVE



Pajtori ynë i vjetër,
mirë se të hasim,
Të njohim ty mirë,
për ty ndaj zukasim.
Një nga një të qetë
me kujdes, na mbolle;
të presin me mijëra
Sa në botë solle.
Sado që të fshihen
nën binishin horrat,
ia tregojnë botës
Sipër palltos, morrat.

ARIELI (Këndon i përcjellë prej harpës eoliane)


Kur me fërfërima shiu
I lag gonxhet në pranverë,
Kur ndër ara dhe ndër vreshta
U fal njerëzve bukë e verë,
Rendin shpejt ku ka nevojë;
Elfët e vegjël zemërgjerë;
Qoftë i mirë a qoftë i keq
Përdëllejnë çdo fatmjerë.

DOGMATISTI


Mua nuk më përmbajnë dot
dyshimi dhe kritika;
diçka do jetë djalli, se -
se ndryshe djaj s'do kishte.

IDEALISTI


Sot fantazia m'i sundon
në kokë trutë e mia;
po qe se unë bota jam,
vërtet sot jam i çmendur.

REALISTI


Të jesh vërtet, është mynxyrë;
kjo po nis të më dhembë
dhe për të parën herë sot
s'po qëndroj dot në këmbë.

SUPERNATURALISTI


Kënaqem q'erdha sot këtu,
dhe me këta gëzohem,
se, duke parë që ka djaj
besoj që ka dhe shpirtra.

SKEPTIKU


Pas flakës ecin për thesar
pas porosisë së djallit;
po kam dyshim e nuk besoj,
ja lë në dorë fallit.

-------------------------------
Johann Wolfgang von Goethe (1749-1832) poet, novelist, dramaturg e dijetar, figurë qëndrore e letërsisë klasike e romantike gjermane. Ai radhitet ndër shkrimtarët më të rëndësishëm e më ndikues në letërsinë moderne evropiane. (The world book encyclopedy,1993)
(*)Fausti, kryevepra botërore e Gëtes u shkrua gjatë periudhës (1808-1832) duke u përfunduar
pak muaj para se ai të ndahej nga jeta. Fausti konsiderohet si një nga veprat dramatike më të vështira për tu kuptuar e përkthyer.
Shqipërimi i Faustit nga S. Luarasi për “konjuktura politike” u botua i copëzuar (Pjesa e parë më 1957, vepra e plotë “me redaktime” më 1987)
Botimi i plotë i shqipërimit të Faustit sipas dorëshkrimit të Skënder Luarasit u realizua më 1999 nga Shtëpia Botuese Argeta LMG, përbën një ngjarje të shënuar për kulturën shqiptare dhe kurorëzon vlerat e shqipëruesit.
 

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,220
Pikët
113
Johan V. Gëte - poezi

Johann Wolfgang Goethe (Johan V. Gëte)
(1749-1832)



Shqipëroi: Lasgush Poradeci



MBANË LUMIT

Rridhni drejt detit të harrimit,
O vargje t’ëmbla dashurie!
Asnjë djalosh mos ju këndoftë
Dhe asnjë gojë vajzërie
Ju folët vetëm për një vajzë
Që sot po qesh me zjarrin tim
Ju pata shkruar përmbi ujë
Pra, shkoni n’ujë dhe n’harrim!

MALL

Ç’ma prek kështu zemrën?
Ç’më bën që të ziej?
Ç’më shtyn të largohem
Prej dhomës përtej?
Po ndrit cip’ e reve
Rreth shkëmbit atje!
Atje do të vete,
Atje n’atë dhé!
Ja, korbat në erë
Flatrojnë me gaz;
Përzihem mes tyre,
Mes tufës humbas
Dhe malit e murit
I vijmë përqark;
Ajo është atje poshtë,
Ajo është atje larg
Ajo vjen e endet,
Unë ik, fluturoj,
Në pyllin e dendur
Si zog po këndoj
Dhe e ndal ajo hapin
E qesh e përgjon:
“Ai këndon ëmbël,
Për mua këndon”
Po i lan perëndimi
Kodrinat me ar;
Sodit bukuroshja
Me shpirt mendimtar
Dhe shkon buzë lumit
Mbi bar e stoli
Dha hapat i zhduken
Në terrin e zi
Sakaq unë shfaqem
Si yll shkëlqimtar
“Kaq afër, kaq larg,
Ç’ndriçon posi zjarr?”
Ti fort e mahnitur
Shkëlqimin e pe;
Por mua të lumtur
Ndër këmbë më ke.

ME NJË GJERDAN TË ARTË

Kjo fletë ty të sjell gjerdhankën
Që, duke e hapur mirë e mirë,
Me njëqind hallkëza të ngjitet
Rreth qafës sate ka dëshirë

Ti merrja mendjevogëlcakut,
Se me gjith’ shpirt vjen të ta japë;
Një gjë stolie është ditën,
Në mbrëmje mund ta hedhësh prapë

Po në të sjelltë ndonjë tjetër
Gjerdhan të rëndë që kushton
S’ta marr për keq, o moj Lizetë
Kur të të shoh se po nguron…

SUPRIZË E FUQISHME

Shpërthen me vrull që lart përmbi greminë
Dhe shikon drejt detit lumi i shkumëzuar
E kqyrin brigjet duke u pasqyruar
Po ai s’ndal e zbret nëpër luginë

Veç në një çast demonerisht rrëzohet
E ndjekin mal e pyll me votromete*
Dhe mbushet oreçast me gëzim jete
Duke e shtrënguar lumin të ngushtohet

Shkon vala praptas, ngrihet që nga shtrati
Dhe e fryrë, e egër, gumëzhin përpjetë
Iu ndal drejtimi e s’vete dot tek ati

Ajo bën pellg, bën një liqen të qetë
Ia ndritin fundin yjet plot hare
Ndaj rreh me vrull mbi shkëmb një jetë e re.

KËNGËTARI

Unë këndoj posi një zog,
Që rri këndon nër fletë;
Dhe kënga që shpërthen vetiu,
Shpërblim ësht' ajo vetë;

KUSHTIMI

Mendjezi erdh, dhe hapi i tij i lehtë
Ma ngriti gjumin që më kish në gji,
Unë ika malit nga kasoll` e qetë,
Duke u endur me një shpirt të ri;
Ma mbushte zemrën me dëfrim e jetë
Lulja e vesuar gjithë njomështi;
Një dritë hareje befas niste e ndrinte
Përtërinte botën që të më përtërinte.

Dhe si po ngjitesha nga lumi i dëlirë
Pluskonte larg një mjegull pa pushim.
Ajo më futi në një mugëtirë,
Ma vrenjti rretheqark vështrimin tim:
S`do ta shijoja pamjen aq me hire,
Ngaqë u mblodh një muzg, një turbullim;
Pastaj prej resh u gjenda si i sulmuar,
I vetëm e mes territ i mbuluar.

Menj`herë dielli u duk të depërtojë,
Në mjegull u ndërpa një qartësi,
Këtej zu muzgu tatëpjetë të shkojë;
Andej të ngjitë pyll e lartësi.
Si desh ky syri im që ta vështrojë,
Pas territ diellin, më me bukuri!
Lufte e tejdukshme s`kishte përfunduar,
Erdh një shkëlqim, dhe mbeta i verbuar.

Nuk ta them emrin. Shumëkush mbi tokë
Ta thotë shpesh, të quan si të tij,
Sikush për shenjë ty të ka në kokë,
Po drita jote i sjell vështirësi.
Ah, kur gaboja, kisha shumë shokë,
Sot që të njoh, jetoj krejt në vetmi;
Se lumturinë e ndiej vetëm fare,
S`ia shfaq asnjerit dritën magjistare.

Ajo po qeshte, e tha: -Tani kupton
Pse ta zbulova aq pak këtë pëlhurë!
Sapo shikon që rëndë më s`gabon,
Sapo më s`je çunak ti, si moskurrë,
Dhe nuk përmbush detyrën posi burrë!
Sa shquhesh ti ngado për ndonjë vlere?
Kupto, jeto në paqe me të tjerë!

Me fal, bërtita, s`kisha keqmendim;
T`i hap së koti sytë e mi përherë?
Vullnet gazmor jeton në gjakun tim,
E njoh dhuratën tënde plot me vlerë!
Të tjerët do t`i mbush me atë bekim;
Më s`do ta fsheh talentin asnjëherë!
Kërkova rrugën aq me dashuri,
Dhe mos t`ua them vëllezërve t’ ëmi?

Dhe siq po flisja, qenia e mrekulluar
Më pa me zemër dhe me mëshirim;
Në sytë e saj sakaq pata lexuar
Çfarë kisha bërë drejt e çfarë gabim.
Më qeshi, e ndjeva veten të shëruar,
Për gaz të ri m`u ngrit mendimi im;
Tani, pra, mundja, me besim pa anë,
Ti qasesha, ta shihja më nga pranë.

Ajo e zgjati dorën që ta kapë
Të lehtë si dhe pahun avullor;
Dhe duk`e prekur fillmëndafshtën napë
Kjo shkriu, u zhduk rrethimi mjegullor.
E shtija syrin mbi luginë prapë,
Mund ta sodisja qiellin madhështor;
Asaj i derdhej cipa m`e kulluar
Rreth shtatit t`hijshëm duke valëzuar.

- Të njoh, ta di çdo dobësi të kotë,
T`i di të mirat që ti ke gjithenjë, -
Më tha kështu, përjetë e ndiej si thotë, -
Pra, merr ç`të taksa prej qëkuri: asgjë
Nuk i mungon të lumturit në botë,
Që merr këtë dhuratë që u përbë
Me muzg mëngjesi e diell qartësie:
Prej së vërtetës - cipë poezie.

Kur ti dhe miqtë ndieni zagushi
Në mes të ditës, hidheni në erë!
Sakaq ju mvesh me ledha një freski,
Një afsh e duf prej lulesh plot me erë,
Pushon t`ju shqetësojë dheu i zi,
Si shtrat i butë bëhet varri i mjerë,
Qetohet vala e jetës së tërbuar
Dhe dita e nata ndritin pa pushuar.

Pra, eni shokë, kur duke renduar
Ngarkesë e jetës shumë ju mundon ,
Kur udhën tuaj fati i mrekulluar
Me lule e pemë t`arta jua bekon,
Drejt ditës s`ardhme shkojmë të bashkuar!
Ajo në jetën vjen na lumturon
Dhe nipërve, kur t`ikim përgjithmonë,
Iu bëftë gaz kjo dashuria jonë!

VJOLLCA

Në një luginë me blerim
Kish çelur plot freski n'agim
Një vjollcë e urtë, e drojtur
Papritur na kalon atje
Si flutur, një bareshë e re
Gjith' shend e gaz
E këngë plot hare

"Ah, sikur t'isha - vjollca tha, -
Mes luleve m'e bukura
Një çast, një çast të vetëm
Do më këpuste domosdo
Në gji do më shtrëngonte ajo
Një çast, një çast
Të paktën, për një çast!"

Por shkon aty baresha e re
Dhe nëpër bar as e vë re
E shkel të shkretën vjollce
"S'ka gjë, - tha lulez' e pafaj-
Të bukurës meri s'i mbaj,
Se në po vdes
Po vdes nga këmba e saj!"

TË ZGJEDHURËS

Dora dorën, buza buzën,
Vajzë e dashur, mbamë besë!
Lamtumirë! Ndaj shkëmbinjve
Dashurori shkon me shpresë,
Po në prektë pas fortunës
Skelën qe shikon ndër sy,
Perënditë e ndëshkofshin,
Në shijoftë gjë pa ty.

Kush guxon, po ka fituar,
Gjysma do të thotë fundi!
Yjet unë i kam si diell,
Veç frikaci s’sheh gjëkundi.
Sikur t’isha pranë teje,
Do të ndieja shqetësim;
Po kjo largësi e madhe
Veç për ty më jep guxim.

E kam gjetur dhe luginën,
Ku së bashku do shtegtojmë;
Lumëthin ne mbrëmëherë,
Se si shket do ta shikojmë.
Këta plepa mbi livadhe.
Këta lisa në blerim!
Ah! pas tyre do të gjenim
Një kasolle për strehim.

SI I VDEKUR

Vajtoni, vajza, Amorin përmbi varr
Se prej asgjëje vdiq këtu papritur
Në vdiq vërtet, s'e them dot me karar
Se ngjallet shpesh pa pritur e pa ditur
 

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,220
Pikët
113
Johan V. Gëte - poezi

Johann Wolfgang Goethe
(Johan V. Gëte)
(1749-1832)




Përktheu: Jorgo Bllaci



PRANIMI



Hyria

Jam rojtarja e xhenetit,
Ndaj qëndroj këtu në prag;
A s’më thua ku po vete
Ti që po na vjen nga larg?

Ke luftuar për Kuranin?
Je dëshmor i tij vërtetë?
Apo kot nga an’ e anës
Vjen të futesh në xhenet!

Po të jesh dëshmor, ahere
Xhvishu plagët mi rrëfe
Sepse ndryshe, te kjo dere
As t’afrohesh nuk të le

POETI

Liro pragun të hyj brenda,
Mos më tall mos më mundo!
Derisa njeri kam qenë,
Kam luftuar domosdo!

Shihmja plagët kraharorit,-
As që numurohen dot,-
Ca nga brengat dashurore,
Ca nga jeta derte plot.

Por gjithnjë kam ëndërruar
Për të shenjtën drejtësi;
Mirësia, kam kënduar,
Mbetet në përjetësi.

Hoqa keq e mora plagë.
Po te njerëzit pa pushim
Dashurinë ndezi flakë
Zjarr’ i thellë i shpirtit tim.

Nëm pra dorën, hyri drite
Le ti numurojmë tok
Të pavdekësisë vite,
Me gishtërinjtë e tu ngamot!

BURRI I MIRË DHE GRUAJA E MIRË
(BALLADË SKOCEZE)

Që nat’ e t’urtit Shën Martin;
Ç’u lodh e ç’u mundua
T’i piqte burrit plum-buding
Për festë, e mira grua.

Dhe bien flenë, por ia nis
Një erë gjith potere,
- O grua, çohu, - burri flet, -
Dhe hidhi kanxhën derës!”

- Ohu, nuk loz, - ia kthen ajo, -
- Jo erë, po ç’të jetë!
Jam lodhur aq sa unë e di,
Po deshe, çohu vetë!

U grindën mjaft e më në fund
- Ta mbyllim, - thanë, - sherrin:
- Kush do të flasë i pari prapë,
Ai do mbyllë derën.”

Nga mezi i natës vinë aty
Në terr, dy udhëtarë;
- Ç’të jetë, - thonë, - kjo shtëpi,
Ku s’ndihen zëra fare!

Shikojnë vatrën, për çudi,
Ende thëngjij që digjen!
Thërrasin, po për rreth në terr
Askush s’ua kthen përgjigjen.

- Pa shih, pa shih, ky plum-buding
Nga furra sa ka dalë!
Përbrenda nikoqirja zien,
Po hesht e s’flet një fjalë.

- Sikur ta njomnim grykën ca,
Do t’ishte feja vetë!
- Pa dal ta hap këtë dollap,
Se, them, diçka do ketë…

- Shiko, plot shishja me raki!
Po hë, vëllaçko, ç’presim?
- Ti hidhmë mua, unë ty, -
Ta zbrazim, se po vdesim!

Po burri i mirë n’atë ças
E humbi krejt toruan.
- Kush më prek shishen, - thirri fort, -
Me kokë ma paguan!

Dhe gruaja e mirë aty
Kërceu menjëherë:
- E humbe, burrë i dashur, - tha, -
Pra çohu, shko mbyll derën!
 

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,220
Pikët
113
Johan V. Gëte - poezi


Johann Wolfgang Goethe
(Johan V. Gëte)
(1749-1832)




Përktheu Robert Shvarc



MBRETI I PYLLIT

Kush sulet me kalë nëpër terr e stuhi?
Është babai me djalin e tij
Foshnjën ndër krahë fort e shtrëngon
E mban me kujdes, nga era e mbron

- O bir, fytyrën me frikë pse e fsheh?
- Mbretin e pyllit, babush, a s'e sheh,
me kurorën mbi kokë e bishtin e gjatë?
- Është mjegull ajo, o bir, është natë!

"Fëmijë e dashur, eja me mua
kam lodra të bukura, si thua?
Do të të çoj mes lulesh përrallore,
do të të vesh me rroba princërore!"

- Babush, babush, a nuk po e dëgjon
Mbreti i pyllit çfarë më premton?
- Qetësohu, o bir, askush nuk të flet
është era në pyll, që klith e bërtet -

"Fëmijë e dashur, a s'po vjen me mua?
Çupat e mia do jenë shoqet e tua;
Vallen do heqin e do këndojnë
me ty gjithë ditën, do lodrojnë"

- Babush, babush, a s'të ngjan se janë
çupat e mbretit atje matanë?
- O bir, o bir unë dalloj fort mirë
janë vetëm livadhet në errësirë -

"Të dua shumë, pamja jote më tërheq!
Dhe në mos ardhsh me dashje, do të vish me të keq!"
- Babush, babush, ai po më kap e po më merr
Mbreti i pyllit më kall frikë e tmerr!

Babai rrënqethet, me vrap kalin e nget
Fort djalin shtrëngon, që regëtin e s'flet
Me ankth e llahtar arrin në shtëpi
Por i vdekur ish djali në krahët e tij.

KËNGËTARI

“Te porta jashtë, ç’bëhet ashtu,
Ç’është ajo këngë, vallë!
Pa shkoni vrap - e dua këtu
Le ta dëgjojmë në sallë!”
Kështu tha mbreti - e pazhi doli
U kthye sakaq - prapë mbreti foli:
“Ma futni plakun brenda!”

“Ju përshëndes të gjithë sa jeni
Fisnikë e dama, mbushur me inxhi!
Si yje qenki, por më ndjeni
Që emrat s’jua di!
Në këtë vend që s’ka të dytë
Do bëj më mirë t’i mbyll sytë
Sesa t’i zgurdulloj”

Dhe këngëtari sytë i fiku
Me harpë këngën e filloi’
I ndriti syri çdo kreshniku
E damat malli i pushtoi
Dhe mbreti vetë zemra iu shkri
E një gjerdan safi flori
Desh plakut t’ia blatonte

“Ah, mos ma jep mua gjerdanin
Por jepua trimave që ke!
Ata tmerr janë për dushmanin
Kur sulen si rrufe!
Ose ta marrë kancelari
Ta mbajë si një barrë ari
Tok me të tjera barrë

Se unë jam si zog i lirë
Dhe si ai këndoj
Mbi këngën që më del e dëlirë
Tjetër shpërblim s’lakmoj!...
Por ti, në daç, më shtjer sapak
Nga vera jote kuq si gjak
Në kupë prej floriri!”

Dhe plaku kupën çoi në buzë
Dhe ëndjeplot e zbrazi
Dhe piu zjarr e flakë e shpuzë
Me shpirtin afsh nga gazi!
“Ju përshëndes - dhe më kujtoni!
Ju falenderoj - dhe, po të doni
Mbajeni mend, ç’ju thashë!”
 

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,220
Pikët
113
Johan V. Gëte - poezi


Johann Wolfgang Goethe
(Johan V. Gëte)
(1749-1832)



Përktheu Petraq Kolevica



SONET


E dashura shkruan përsëri

Pse kthehem përsëri te këto fletë?
I dashur, mos më pyesje më mirë,
S'kam ç'them, me të vërtetë, po kam dëshirë
Ta mbash në dorë letrën time, vetë.

Meqë s'vij dot, kjo letër le të jetë
Prej zemrës sime ç'është me e dlirë,
Gëzim, rënkim e shpresë e dëshirë;
Gjithçka që s'pat fillim e fund e s'do ketë.

Sot dëshiroja fort mos të ta thoja
Se në dëshira, ëndrra dhe mendime
Besnikja zemër kthen e vje te ti.

Kështu dikur qëndroja e të shikoja
Dhe s'flisja dot. Ç'të thoshte goja ime?
E gjitha isha si në mrekulli.

***

Jam betuar shpesh, i bindur,
shishes më mos t'i besoj,
po sot ndihem i rilindur,
pijetoren kur shikoj
s'di se ç't'i lëvdoj më tepër,
verëpurpur, qelqkristal.
Tapën heq e s'mbetet tjetër,
shishja bosh, unë s'di si dal.

Jam betuar shpesh, i bindur,
shishes më mos t'i besoj,
po sot ndihem i rilindur,
kam guximin të të shikoj.
Bëma, siç ja patën bërë
më të fortit burrë, pra:
pritmi flokët me gërshërë,
moj e dashura Delila!
 

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,220
Pikët
113
Johan V. Gëte - poezi

Johann Wolfgang Goethe​
(Johan V. Gëte)
(1749-1832)



Përktheu Perikli JORGONI




ZULEJKA

Ç'kuptim ka, mik, kjo fërgëllimë,
Mos sjell lindja lajm të mirë?
Krah i saj plot fërshëllime
Më freskon zemrën e nxirë!

Lot me pluhur e me fletë,
I ndjek retë bredharake,
Shtyn drejt pjergullës përpjetë
Kaq shumë kandra zhurmërake!

Ia zbut diellit përvëlimin,
Më freskon gushën e nxehtë,
Puth hardhinë tek merr shtegtimin,
Shfryn tek kodra, tek rrëketë!

Dhe më sjell me fëshfërimë,
Që nga miku kaq të fala,
Pa u errur kodra mirë
Sjell të puthura të vala!

Mund të çash ndër kaq rrafshira,
Ndihmo miq e të munduar,
Nëpër muret, tek rrëpira,
Pret djalosh i dashuruar!

Ah, se lajmin kaq të shtrenjtë,
Ku freskohet dashuria,
Ma flet gojë e tij vetë,
Ma fal buza si qershia!

NATË E BUKUR

La kasollen e vetmuar
Miken që më ndjen në gji
Bredh çaplehtë dhe i menduar
Nëpër pyll e shkretëti
Hëna shket mbi lis e plepa
Fryn zefiri që më deh
Dhe baloshet ulin lehtë
Degë e fletë gjer përdhe!

Ç’më gëzon ky fresk, kjo verë
Dhe kjo natë plot magji!
Gaz si ky mjaft rrallë herë.

Më vërshoi brenda në gji!
Natë e bukur si përrallë
Po një mijë si këtë
Mbaj, qiell, veç të më falë
Vasha ime, vetëm një!

AMADISI I RI

Kur isha çun çamarrok
Më mbyllën, për dreq,
Dhe më shkuan shumë mot
Si në çark, sa keq,
Pa gëzim, plot lot!

Larg s’më ndejte ti aspak,
O moj fantazi!
Isha si hero plot fat,
Si princ i madh Pipi
Botën brodha qark!

Dhe kështjella ngrita lart,
I shemba përdhe.
Vrava spirja e lugat
Në vrull e hare,
Me ç’guxim, ç’inat!

Dhe princeshën - peshk, perri,
Munda ta shpëtoj,
Në tryezën plot stoli
Bujarisht më ftoi.
Oh, ç’kënaqësi!

Mjaltë puthjet që më dha,
Verë si rubin!
Ah, e desha sa më s’ka,
Dielli plot shkëlqim
Derdhej drejt prej saj!

Kush ma mori, ç’tinëzar!
Si nuk e pengoi,
Lidhje e shpirtit ndezur zjarr?
Thomëni nga shkoi?
Ç’rrugë, pra, të marr?

KAM DASHUR, PO DUA TANI...


Kam dashur, po dua tani më me zjarr,
Kam qenë shërbyes, tani jam një skllav,
Me ç’zell kam shërbyer këdo!
Por befas më ndezi kjo mike besnike,
Dhe nis ma shpërblen çdo dhimbje fisnike,
Për mua s’ka tjetër si kjo!

Besova, tani besoj me pasion!
Në shkon jeta mbarë a barra ngarkon,
Besimi prej meje s’mërgohet!
Po ngryset kaq shpesh, po erret e nxin,
Shtrëngon kaq brenga, rreziku arrin,
Por qielli nis prap kthjellohet!

Kam ngrënë, tani po ha sa për tre,
Më ndriti krejt shpirti e zemra më rreh,
Gjithçka e harroj mes dëfrimi!
Rinia më zjen bërtas e gajas,
Kam mall që të shtrohem ndër venë plot gas,
Ngjeroj, më shijo fort ushqimi!

Kam pirë më parë, tani s’le sapllak,
Dhe vera na ngre, na bën më çakmak,
Dhe gjuhën na gjidh nga zinxhirat!
Nga vozat po zbrazet e rrjedh me rrëmbim,
Na ndez kaq dëshira, na ngjall kaq besim,
S’na ndalin hendeqet, rrëpirat!

Në valle jam hedhur, në valle marr zjarr,
Asnjë shilarthar dhe asnjë valltar
S’erdh rrotull në valle si flutur!
Dhe kush shumë lule ia doli të thurë,
Dhe kurrë s’i ndau, s’i shkeli në turr,
I mbeti kurora e bukur!

Ta thurim kurorën! Mos kini ngurrime!
Kush merr trëndafilin plot vesë e shkëlqime
E çjerr veç pak gjemi i mprehtë.
Si dje edhe sot shkëlqejnë fort yjet,
Por larg mjaft i prijnë kujt frikshëm ul kryet
Dhe ngrys po gjithnjë po në jetë!

KËNGËTARI

"Te porta jashtë, ç’bëhet ashtu,
Ç’është ajo këngë, vallë!
Pa shkoni vrap – e dua këtu
Le ta dëgjojmë në sallë!"
Kështu tha mbreti – e pazhi doli
U kthye sakaq – prapë mbreti foli:
"Ma futni plakun brenda!"

"Ju përshëndes të gjithë sa jeni
Fisnike e dama, mbushur me inxhi!
Si yje qenki, por më ndjeni
Që emrat s’jua di!
Në këtë vend që s’ka të dytë
Do bëj më mirë t’i mbyll sytë
Sesa t’i zgurdulloj"

Dhe këngëtari sytë i fiku
Me harpë këngën e filloi’
I ndriti syri çdo kreshniku
E damat malli i pushtoi
Dhe mbreti vetë zemra iu shkri
E një gjerdan safi flori
Desh plakut t’ia blatonte

"Ah, mos ma jep mua gjerdanin
Por jepua trimave që ke!
Ata tmerr janë për dushmanin
Kur sulen si rrufe!
Ose ta marrë kancelari
Ta mbajë si një barrë ari
Tok me të tjera barrë

Se unë jam si zog i lirë
Dhe si ai këndoj
Mbi këngën që më del e dëlirë
Tjetër shpërblim s’lakmoj!...
Por ti, në daç, më shtjer sapak
Nga vera jote kuq si gjak
Në kupë prej floriri!"

Dhe plaku kupën çoi në buzë
Dhe ëndjeplot e zbrazi
Dhe piu zjarr e flakë e shpuzë
Me shpirtin afsh nga gazi!
"Ju përshëndes – dhe më kujtoni!
Ju falënderoj – dhe, po të doni
Mbajeni mend, ç’ju thashë!"
 
Top