• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Rainer Maria Rilke

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,220
Pikët
113
Rainer Maria Rilke
(1875-1926)​

Rainer Maria Rilke lindi më 4 dhjetor të vitit 1875 në Pragë, Austro-Hungari dhe vdiq më 29 dhjetor të vitit 1926, në senatoriumin Valmont afër Montreux, Zvicër. Ishte autor austriak dhe një prej lirikëve më të rrëndësishëm të gjuhës gjermane. Shkroi tregime, një roman si dhe disa artikuj mbi artin dhe kulturën si dhe kishte të përkthyer ndër të tjera, një numër të madh të veprave të letërsisë lirike, kryesisht nga gjuha frënge. Një prej veprave të tij më të rëndësishme është: "letrat e këmbyera".
 

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,220
Pikët
113
Rainer Maria Rilke - poezi

Rajner Maria Rilke



I përktheu nga gjermanishtja:
Perikli Jorgoni



GJITHNJË KALOJ

Gjithnjë kaloj po në të njëjtin shteg,
Përgjatë kopshtit, ku s´ka plep e shelg,
Por vetëm trëndafila.
Ndonjëri dhe për pakëz do të çelë,
Përse jo shumë vonë në ç´do degë
Plot me freski, plot ngjyra e gazmend,
Do çelin gonxhe e filiza.
E di se unë jam veç në fillim
E ndrydhur hesht fuqia,
Por kur të zgjohet me vrull e gjallim
Do kenë fjalët e mia,
-Do jenë trëndafila në shpërthim,
Që tunden nga puhia.

PIKTORI I RI

“Nga Roma, në qytetin tonë,
do kthehem me lavdi, patjetër.
Mos qaj, moj vajzë, kaq e njomë,
Atje do bëj një kryevepër!”
Dhe shkoi ai porsi i dehur
Në Romë plot mall e besim,
Por shpesh dëgjonte, papandehur,
Në shpirt një vaj e një qortim.
Tek pikturonte pa pushuar,
Një brengë kish gjithmonë në zemër:
Kjo dashuri e pajetuar
Ishte e tija kryevepër.

PO TRETEJ DIELLI
(Sipas tablos së Benesh Knypferit)

Po tretej dielli prush i nxehtë
Tej detit, atje larg.
Dy murgjër-mu në breg të shkretë,
Një djalë dhe një plak.
“Po shkoj -tha djali -Ç´det pa fjalë,
Sa mrekulli, ç´gazmend!”
“Për mua, mik, kjo heshtje e rrallë,
veç vdekjen më ndërmend.”

MËNGJES DIMRI

U ngrinë kroje e burime
Stërqokat mblidhen në një pellg.
Iu skuqën faqet mikes sime,
Plot gaz mendon për ndonjë rreng.
Na puth kjo dritë kaq e kthjellë
E diellit, dega nis kërcet.
Dhe gjer në gjak na futet thellë
Flladi i mëngjesit plot shëndet.

KURTIZANIA

Flokët e mia dielli i Venedikut
M´i ktheu në ar, dhe kjo një alkimi,
Që ç´do lloj alkimie e ka zili.
Qepallat -ura, në të cilat ti,
Shkon fare pa u ndjerë drejt rrezikut
Të syve, si fshehtas vragat nën bar
Gufojnë edhe rrjedhin ndër kanale,
Ku deti qetësohet e llambar.
Dhe kush me qënin të pa ndonjëherë
E ka zili, pse dora pa stolira
E sringla e miklon me butësi.
Pa ndezje epshi e pa një dredhi.
Dhe djemtë, shpresë e shtëpive të mira,
Mes gojës sate humbin në humnerë.

PËRRALLA E NJË REJE


Ja, iku dita çapalehtë,
Me tingëllim si nje çekan,
Porsi një pjepër dyllë i verdhë
Mbi bar u shtri hëna në shpat.
Një re e vogël plot dëshirë
Desh ta ngjeronte, dhe dy gisht
Larg saj u ul në mugëtirë,
E dehu cipa e fildishtë.
Prej nga arratia e gjatë,
Kudo derdh dritë si flori,
Por nata si një frut i artë
E mori, reja pus u nxi.

ABISHAGINA

I.
Krahët e saj të njomë prej fëmije
Tek mbreti plak ia ngjeshi shërbëtorët.
Përmbi të dergjej ëmbëlsisht me orë,
E trembur pak nga rrudha pleqërie.
Dhe ndodhte pas asaj mjekrre të gjatë,
Të fshihej, kur këlthiste kukuvajka,
Pastaj dëshirat e frikën e ngratë
Si nën guaskë i mbështillte nata.
Dhe yjet fërgëllonin si kjo vajzë.
Aromë lulesh -dhoma e ngujuar.
Të tundej perdja priste në ç´do çast
Si shenjë me vështrim të përqëndruar.
Dhe duke mbetur tek ky plak i vrenjtur,
Që s´po i vinte çast i mbramë ende.
Mbi këtë trup të akullt si të vdekur
E virgjër dergjej dhe fare pa zë.

2.
Mendonte i mërzitur mbreti plak
Për ditët që po rridhnin pa dëfrim,
Dhe përkujdesej për qenin leshtak,
Por sapo zbriste mbrëmja ndër lugina
Mbi të anohej lehtë Abashagina.
Jeta e tij, porsi një zall i shkretë,
Nën këtë gjoks të bukur e plot jetë.
Si njohës i ç´do hiri femëror,
Që të kuptonte se kish fare zor,
Që këtë buzë kuq si gjak
As dashuri e parë s´i kish çikur.
I blerti shpirt s´i çelte për një plak
E priste, mos i shkrepej sado pak
E fundit xixë, si qeni veshëngritur.

KOPSHTI I TË MARRËVE

Kjo që dikur na ishte një murgatë,
Po ngjeshet rreth oborrit me mundim,
Sikur kërkon të mbyllë ndonjë plagë...
Të tjerë njerëz vijnë për strehim.
Të qetë rrojnë, larg zhurmës botë.
Nëpër këto udhë enden me ngadalë.
Takohen, ndahen, risht ndodhen përballë,
Sikur parajsës bredhin, ku s´bën ftohtë.
Për lulet përkujdesen nëpër lehe,
Të varfër e të gjunjëzuar.
Dhe kur s´i sheh ndonjë, kanë një shprehje
Të përmalluar, të hutuar,
Për këtë njomështi e këtë bar,
Një ledhatim të ndrojtur e të ngrohtë.
E kuqja e trëndafilit kërcellhollë,
Sikur thërret me zë kërcënimtar,
Sikur kudo të shtrijë do sundimin,
Dhe mbi këta që ngrihen që pa gdhirë,
Po nuk arrin të shfaqë si për mendimin:
Sa i mirë bari i njomë që ka mbirë!

KUVENDI I JOZUEUT

Si lumi që shkallmon digën e ngritur,
Kur vjen plot ujë, dallgë e tërbim,
Kështu shkallmoi Jozueu i ndritur
Dhe më të lashtin fis me mjaft guxim.
Dhe kish që qanin, por edhe që qeshnin,
Ua rrihte gjoksin zemra me tokmak.
Kur një buçimë si shpërthim rrebeshi
Gjëmoi me një gojë fort që larg.
Dhe mijëra u shtangën nga çudia
Siç kishin shtangur dhe në Jeriko.
Tamburë e brirë binin, batërdia
Rrëzonte mure e çati kudo.
Ia krisën vrapit nën kular të tmerrit,
Pa mbrojtje,të dërrmuar nëpër mal.
S´mendonin se ky plak me sy skifteri
Në Gibeon t´i thoshte diellit: Ndal!
Dhe Zoti shkoi ta mbante, mos vidhisej
Nga kreshtat diellin që pikonte gjak,
Që egërsisht me njëri-tjetrin fiset,
Të ndaheshin, sa donte një ky plak.
Dhe ky ishte një plak me zhubra e thinja,
Që ata s´e kishin vënë në peshim.
Më me se njëqind vite përmbi shpinë.
Ai u ngrit, u erdhi në fushim.
U erdhi si vjen breshëri në arë:
“Në ç´Zot besoni ju unë s´e di.
Mjaft zotër keni ju si dhe më parë,
Nga ta të zgjidhni mundni dhe tani!”
Pastaj u tha me mburrje: Veç një Zoti
Me fisin tim shërbim i bëj gjithnjë.
Ata iu lutën gjatë kot së koti:
“Na ndih në zgjedhjuen e vështirë ne!”
Edhe e panë të ngjitej pa fjalë
Për në qytezën lart, atje në mal,
Pastaj s´e panë as një herë më.

KËNGA E DVIDIT PARA SAULIT

I.
Harpën time e dëgjon, o mbret,
Na degdisën udhëve ngaherë.
Yjet na përplasën këtë herë.
-Ndoshta jemi si shiu në pranverë
Që zbut tokën edhe lulen çel.
Vajza që akoma nuk i njeh
E që ndihen gra, më joshën mua.
Kundërmim i kurmit mollë e ftua.
Prapa dyersh plot me mall gjithnjë
I përgjojnë djemtë syfajkua.
Gjithçka ty të ktheu kënga ime,
Si i dehur zëri i saj nektar.
Nata jote, mbret, ah, nata jote,
Shkelet plot ëmbëlsi, pa brenga e lote.
Ty të jepen vajzat truplastar
Mundem të të ndjek nëpër kujtime,
Por ç´tel harpe këto fërgëllime
Epshi edhe malli mund t´i japë.

2.
S´të mungon asgjë në këtë jetë,
Me këtë pushtet edhe fuqi
Mundet të më flakësh fare lehtë
Edhe harpën gjithë egërsi,
Të ma thyesh, më këmbim mos këtë.
Ajo ngjan porsi nje pemë e vjelur,
Ku mes degësh hesht pafundësia,
Si në ditët e së ardhmes hija
E një dite që ende s´ka çelur.
Mos më lërë qëtë flej më gjumë
Pranë harpës, por plot vrull e mall,
T´ia prek telat, pluhrin tua shkundë,
Dhe ç´do drithmë kurmi të ringjall!

3.
Më kot rreh të fshehish ç´ndjen përbrenda,
Ty tani të tërin rob të kam.
Kënga ime s´di dredhi e dëngla,
Por sërish u bëmë ne kallkan.
Zemra ime e gjorë dhe hutimi,
Që të kapi varen nga zemërimi
Yt, o mbret.Këto çaste të rënda
Përmbi njërin do shpërthejë gjëma.
A s´e ndjen sa fort kemi ndryshuar?
Veten zap s´e bën më, mbret, tani.
Sikur njëri-tjetrin pa ngurruar.
 
Top